Vendimi për Fredi Belerin pritet të pasohet nga një proces zgjedhor në Bashkinë e Himarës. Pasi u dënua me 2 vite burg nga Gjykata e Apelit, i hapet rruga zyrtarisht qeverisë që të shpallë vakancën në këtë bashki.

Ligji për vetëqeverisjen vendore, përcakton se një kryetar Bashkie mund të shkarkohet ndër të tjera edhe kur dënohet për një vepër penale me dënim të formës së prerë. Në kushtet kur Fredi Beleri nuk e ka bërë betimin, qeveria ose prefektura e Vlorës pritet të njoftojë presidencën për vakancën e krijuar për shkak të dënimit të kryetarit të zgjedhur nga gara e fundit elektorale.

Kodi Zgjedhor përcakton se Presidenti mund të dekretojë datën e re të zgjedhjeve brenda 48 orëve nga marrja e njoftimit ndërsa zgjedhjet mbahen jo më herët se 30 ditë ose jo më vonë se 45 ditë nga data e njoftimit.

Por ende nuk dihet se cili do të jetë plani i qeverisë, në kushtet kur nuk ka një afat të përcaktuar në ligj për njoftimin e vakancës.

Si kandidat të mundshëm, socialistët kanë prefektin e Vlorës Vangjel Tavo, ndërsa opozita nuk pritet të largohet nga familja e Fredi Belerit, teksa djali i tij ka shprehur synimin për të kandiduar.

Pasojat e këtij vendimi të formës së prerë, Fredi Beleri nuk do t’i ndjejë vetëm në humbjen e bashkisë së Himarës. Ligji “për garantimin e integritet të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” përcakton se personat e dënuar për krime të rënda apo krime zgjedhore nuk mund të garojnë për 20 vite.

Klan News