Nëse ke një kafshë shtëpiake dhe nuk di ku ta lësh kur nisesh me pushime, në Tiranë ka një strehë për t’i mbajtur ata të sigurt. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vizitoi strehën e kafshëve në zonën e Tufinës, e ndërtuar me standardet e Bashkimit Evropian, për trajtimin e kafshëve të rrugës ose kafshët e braktisura.

Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë së Tiranës: Thirrja për të gjithë qytetarët është: Mos i braktisni kafshët shtëpiake. E kuptoj që të gjithë duan të ikin me pushime, por nëse keni thënë që është anëtar i familjes, merrini me vete, mos i braktisni. Nëse e keni absolutisht të pamundur t’i merrni me vete, është më e ndershme ta dorëzoni atë kafshë për adoptim dhe ne të gjejmë një familje që tregon më shumë kujdes, se sa ta braktisim në rrugë dhe t’i kthehemi një cikli, që Tirana e ka harruar prej 10 vitesh.

Gjatë vizitës te streha e kafshëve në kryeqytet, Veliaj u ndal edhe te pastrimi ku u bëri thirrje bizneseve të mos i hedhin mbeturinat aty ku i hedhin familjarët.

Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë së Tiranës: Bizneset nuk mund t’i hedhin mbetjet aty ku i hedhin familjarët. Të hedhësh të gjitha copat e mbetura të sfungjerit, apo të lëkurës dhe tekstilit nga fasoneritë tek koshi i plehrave të qytetarëve, apo një restorant peshku ose një kasap mishi, tek koshi i familjarëve është një shkelje e ligjit dhe duhet dënuar me gjobë. Do të jemi me tolerancë zero kur vjen puna tek super marketet, tek bizneset, tek ata që i dinë, i kanë mundësitë, kanë edhe mjetet e tyre të logjistikës, dinë edhe kontaktin e bashkisë për t’ia marrë kartonët në destinacion, sepse kjo është e patolerueshme.

Streha që ndodhet në zonën e Tufinës ka një kapacitet prej 400 kafshësh, ku ofrohen disa shërbime për trajtimin e tyre.

Klan News