Kamala Harris e nis me sulme të ashpra betejën ndaj Donald Trump-it. Në të parin tubim elektoral në Wisconsin, pasi mori mbështetjen e një numri të mjaftueshëm delegatësh për t’u zgjedhur kandidate e demokratëve në Konventën e 19 Gushtit, Harris e quajti Trump-in “abuzues me gratë dhe mashtrues”.

“Kam qenë Prokurore e Përgjithshme e Kalifornisë dhe kam ndjekur lloj-lloj njerëzish, grabitqarë që abuzojnë me gratë, mashtrues që zhvatin konsumatorët, që thyejnë rregullat për përfitime. Dhe më dëgjoni…Unë e njoh sojin e Donald Trump-it.”

Harris premtoi se çdo ditë do të shënojë një fitore ndaj rivalit republikan. Të parën e ka shënuar në sondazhe që në dy ditët e para pas përfshirjes në fushatën presidenciale. Ajo rezulton për të parën herë në epërsi me 2% ndaj Donald Trump-it, në një sondazh të prestigjozeve Reuters/Ipsos.

Trump iu përgjigj akuzave të zv.presidentes, me një koment të shkurtër në rrjetin e tij social personal Truth, ku thotë se “Kamala Harris shkatërron gjithçka që prek me dorë”. Trump e ka akuzuar më herët Harris-in se në të gjitha detyrat ku ka përfaqësuar Kaliforninë, ka dështuar në menaxhimin e krizës së refugjatëve që dynden në kufjtë e Shteteve të Bashkuara nga Amerika Latine.

Tv Klan