Personazhi aq i dashur vizatimor për fëmijët, Hello Kitty, që ka sjellë për dekada me radhë buzëqeshje tek të gjithë feston 50 vjetorin e saj. Kompania japoneze Sanrio e krijoi Hello Kitty-n në vitin 1974. Një vit më vonë, imazhi i saj u pa te çantat e vogla të fëmijëve të cilat shiteshin për më pak se 1$.

Që atëherë, fytyrën e saj të këndshme e kemi parë te lodrat, veshjet dhe objekte të tjera kudo në botë. Ajo madje është edhe “Yll TikTok-u”! Hello Kitty aspiron edhe Hollywood-in, nëse realizohen planet për një film.

Por a e dinit se emri i saj në fakt është Kitty White? Ajo ka lindur në Londër dhe po, ka një motër binjake të quajtur Mimmy. Besoj se do shokoheni po t’ju temi se ajo nuk është mace…

Fenomen i pop-culture që prej 1970-ës.

Pasi “pushtoi” veshjet, çantat, aksesorët e ndryshëm me imazhin e saj, në vitin 1987 Hello Kitty u bë pjesë e filmave të animuar në Amerikë.

Në vitin 2009, Lady Gaga veshi një fustan i tëri me Hello Kitty-n, në ditëlindjen e saj të 35-të.

Në 2015-ën, u bë pjesë e një ekspozite në Los Angeles  të quajtur “Hello! Exploring dhe Supercute World of Hello Kitty”. Ekspozita u pasua me një sërë titujsh nëpër media, aq sa Christine Yano zbuloi se ky personazh në fakt ishte një vajzë e vogël, jo një mace.

“Ajo nuk është një mace, është një vajzë e vogël e miqësore. Ajo madje ka një kotele të vogël të cilën ne e quajmë Charmmy Kitty”, tha Yano.

Komentet që dominonin në rrjet ishte: Pra e gjithë fëmijëria ime ka qenë një gënjeshtër? Pse ajo ka veshë maceje?!

Pra, kush është realisht ky personazh i animuar?

-Emri i saj është Kitty White

-Është një vajzë e vogël, jo një mace

-Jeton në Londër me prindërit

-Ka një motër binjake të quajtur Mimmy, e cila mban një fjongo të verdhë

-Asaj i pëlqejnë udhëtimet, librat dhe gatimi

-Ushqimi i preferuar? Byreku me mollë.

-Ëndërron që një ditë të bëhet pianiste ose poete

-Ditëlindja: 1 Nëntor 1974

-Ka një kafshë shtëpiake të quajtur Charmmy Kitty

-Ajo ka dhe një të dashur, Daniel Starr, i cili u bë i famshëm për publikun në 1999

-Shoqja e ngushtë: Tiny Chum, një arush i vogël

/tvklan.al