Çuçi: Po punohet me partnerët e huaj për zbardhjen disa ngjarjeve

Hetimet për atentatin me eksploziv që i mori jetën Aleksandër Sadikajt, në Unazën e Madhe të Tiranës, do të shtrihen jashtë Shqipërisë. Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi pranoi se policia po bashkëpunon ngushtësisht me partnerët e huaj.

Çuçi: Pa diskutim jemi duke punuar, është një ngjarje e rëndë, nuk diskutohet. Policia po punon shumë ngushtë me të gjitha agjensitë e tjera ligjzbatuese, edhe me partnerët tanë për të zbardhur gjithë këtë ngjarje të rëndë për nga mënyra se si u ekzekutua.

Ministri nuk dha detaje se çfarë nënkupton përfshirja e partnerëve të huaj. Tv Klan mësoi nga burime të policisë se po hetohet mbi lidhjet e 27-vjeçarit me persona që jetojnë në vende të ndryshme të Bashkimit Europian, pasi dyshohet se shkak i vrasjes mund të jetë edhe një konflikt mes tyre.

Makina e Sadikajt u hodh në erë mesditën e të shtunës teksa po udhëtonte nga Tirana në drejtim të Tepelenës, aty ku kishte edhe një fermë.

Burime nga grupi hetimor thanë se autorët kishin përdorur mekanizmin e shpërthimit në distancë, çka do të thotë se ata kanë qenë duke e ndjekur me makinë nga një distancë e afërt. Ky mekanizëm e bën më të vështirë identifikimin e tyre.

Vetëm në 6 muajt e parë të vitit 2022 në vend janë regjistruar 18 ngjarje me shpërthim eksplozivi. Në të gjitha ngjarjet policia nuk ka arritur të dokumentojë dhe identifikojë autorët e tyre.

Tv Klan