Vangjel Tavo është fituesi i zgjedhjeve të pjesshme për bashkinë e Himarës, të mbajtura të dielën e 4 Gushtit.

Në përfundim të procesit të numërimit që nisi rreth gjysmë ore pas mesnatës së të dielës dhe përfundoi rreth orës 06:45 të së hënës, Tavo arriti të marrë 5022 vota ose 58.62 përqind, kundrejt kandidatit të opozitës Petro Gjikuria i cili mori 3545 vota ose mbi 41.38 përqind të votave.

Kandidati socialist ka një diferencë prej 1477 votash më shumë se kandidati i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”.

Krahasuar me zgjedhjet e 14 majit të një viti më parë,  Vangjel Tavo mori 1200 vota më shumë se Jorgo Goro në 2023, ndërsa Gjikuria ka marrë  295 vota më pak se Fredi Beleri.

Referuar rezultateve të KQZ në fshatrat e Lumit të Vlorës, në njësinë Horë Vranisht Vangjel Tavo ka siguruar fitoren më të madhe me 1165 vota ose 89.20 përqind të votave, ndërsa rival i tij Gjikuria 141 vota ose 10.80 përqind,

Sipas KQZ-së procesi i votimit dhe numërimit në zgjedhjet e pjesshme në Himarë u zhvillua i qetë dhe pa probleme.

Në këtë proces nuk u lejuan të votojnë qytetarët me karta identiteti të skaduara, gjë që u ngrit nga opozita si pretendim në momentet e para të procesit të votimit.

Zgjedhja e kryebashkiakut të ri të Himarës i jep fund një historie të vështirë drejtimi në këtë bashki, e cila nisi më 14 maj të një viti më parë, kur Fredi Beleri fitoi vetëm me 19 vota nga qelia e paraburgimit, por nuk mundi ta drejtojë këtë bashki asnjë ditë. Edhe kryetari në detyrë Jorgo Goro, nuk mundi të vazhdojë drejtimin, pasi u arrestua nën dyshimet se përmes dokumenteve të falsifikuar ka lejuar regjistrimin e parregullt të dy pasurive të patundshme.

Klan News