E enjtja e 5 shtatorit ishte Dita e Shenjtërimit të Nënë Terezës. Në të njëjtën ditë, Shqipëria kremton edhe Ditën Kombëtare të Nënë Terezës. Në nder të saj, po në mbrëmjen e së enjtes, Klan Plus transmetoi një spektakël të titulluar “Shën Tereza, shqiptarja e gjithë botës”.

Ky ishte edicioni i tretë i cili erdhi për herë të parë në Tiranë, i prezantuar nga dy të ftuarit e programit “Rudina” në Tv Klan, Sokol Guga dhe Matilda Mcini. Por koncepti artistik i këtij spektakli nuk i shërbeu vetëm kësaj kauze. Skenografia është shumë e njohur pasi është e njëjta që kemi parë në homazhet e shkrimtarit të madh Ismail Kadare, i cili u nda nga jeta më 1 korrik.

Duart, shamia dhe kryqi i Nënë Terezës  në sfond u realizuan nga Bledar Gërcaliu dhe Sokol Guga tregon se ndërsa  kishte nisur vendosja e skenës në TKOB, i erdhi mesazhi që kryeministri Rama dëshironte të mbante  homazhet me këtë skenografi.

Sokol Guga: Gjatë kohës që ne montonim dhe ishim drejt përfundimit, ndodhi edhe ndarja nga jeta e shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare. Sigurisht kisha një nuhatje që do të vinin në Teatrin Kombëtar të  Operas dhe Baletit.

Rudina Magjistari: Sigurisht sepse ishte vendi ku do të bëheshin homazhet.

Sokol Guga: Ku mund të bëheshin homazhet dhe ku mund të priste gjithë ata njerëz  që të mund ta nderonin. Por mendova që do të bëheshin në hollin e Teatrit Kombëtar të  Operas dhe Baletit dhe shoh në sallë që futen një grup, një personel nga kryeministria. Nuk u ndjeva të jem i sinqertë, dua të jem shumë i sinqertë në këtë intervistë, nuk u ndjeva. Ata e panë, bënë edhe foto dhe pas një ore,  më thonë “Sokol  ne kemi menduar dhe kryeministri ka menduar që homazhet të mbahen pikërisht në këtë sallë dhe me këtë skenografi”. Të lutem, mos e hiq, nuk duam ta mbyllim me një perde të zezë siç zakonisht bëhen homazhet, duam të na e lësh kështu”. Patjetër, u thashë. Sigurisht një figurë si Ismail Kadareja dhe një kërkesë nga kreu i qeverisë, sigurisht që ne do të jepnim kontributin tonë dhe do të lironim sallën./tvklan.al