Për kreun e Kishës Katolike Shqiptare, Arjan Dodaj, shqiptarët nuk duhet të humbasin gjurmët që Nënë Tereza krijoi me veprimtarinë e saj. Në një intervistë për emisionin Aldo Morning Show në Tv Klan, në këtë 8-vjetor të shenjtërimit, Dodaj thotë se ajo është shenjtja e dritës.

“Na ka krijuar disa gjurmë që ajo i ka përshkruar plotë dashuri, ku këto gjurmë mos t’i humbasim ne, populli dhe kombi i saj. Ka ditur të rrezatojë dhe mendoj se ne kemi shumë nevojë që kjo dritë të përshkojë mbarë ekzistencën tonë. Është një dritë që duhet t’i lemë stafetë edhe fëmijëve tanë…”

Një këshillë e pati edhe për të rinjtë që sipas tij duhet të jetojnë jetën pa u trembur nga sfidat.

“Duhet të marrim nga Nënë Tereza aftësinë e saj për të jetuar jetën. Brezi i ri sot nuk po e jeton jetën. Nëse ne ndalemi e flasim me të rinj: “Po kush është një përvojë që ka shënuar ekzistencën tënde, që të ka bërë të marrësh një vendim?”, e ti do të shohësh që shumë të rinj për mos të marrë vendime humbin përvojat, hiret e bekimet që kanë. Largohen, shmangen nga sprova, nga sfidat”.

Imzot Arjan Dodaj shtoi se virtyti më i madh që ka treguar Nënë Tereza është të dhënit nga ajo çfarë kemi. Misionarja dhe fituesja e çmimit Nobel lejoi që të udhëhiqej nga besimi dhe përmes tij, të ndiqte misionin e saj të jetës. Nënë e madhe e të varfërve u shpall shenjtore në 5 Shtator 2016, pasi Papa Françesku njohu dy mrekulli të saj.

Tv Klan