Viti 2024 përkon me 35-vjetorin e njohjes së Albës me “të dashurin e saj” me të cilin sot ka dy fëmijë. Alba ishte vetëm 16 vjeçe kur kuptoi se personi me të cilin ajo ishte dashuruar, do të ishte udhëtari i saj i jetës. Por me kalimin e kohës, vrapin pas jetës dhe punës së përditshme, ajo nuk arriti të grumbullonte momente të mjaftueshme me të atin, i cili ndërroi jetë 3 vite më parë. Kjo brengë që Alba e ndan me “Ka Një Meszh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, e shoqëron edhe sot e kësaj dite.

Alba: Vetëm 3 vite më parë unë humba babain tim. E humba në një mënyrë krejt të papritur, pa vuajtur asnjëherë. Vdekja e tij e papritur na shokoi të gjithëve, por ajo që unë përjetoja ditët kur ne e nderonim ikjen e tij, nuk më ngushëllonin fjalët e njerëzve që ai vdiq siç do donte çdokush, pa ndier asnjë dhimbje, në gjumë. Fajësoja veten time.

Ardit Gjebrea: Pse?

Alba: Sepse babi jetonte me vëllain, me nusen, me mamin. Motra kishte një punë afër shtëpisë së prindërve dhe e takonte pothuajse çdo ditë babin.

Ardit Gjebrea: Ti jo dhe aq shpesh.

Alba: Unë me dy djem, me burrin, me familjen…

Ardit Gjebrea: Me punët, me impenjimet.

Alba: U gjenda përpara faktit që kur njerëzit, kur vëllai, motra flisnin për kujtime, flisnin për bisedën e fundit që mund të kishin bërë me babin, unë e gjeta veten pa kujtime me babain tim.

Ardit Gjebrea: Jo aq sa do doje ti se pa kujtime…

Alba: Kisha vetëm kujtimet e fëmijërisë, shumë të ndjera dhe shumë të gjalla. Ama kujtime të rritjes time nuk kisha dhe këtë gjë unë e vuajta dhe vazhdoj ta vuaj.

Ardit Gjebrea: Se u dashurove 16 vjeç. Dashuria ka dhe kosto.

Alba: Nuk e fajësoj veten për këtë gjë pasi mendoj që gjërat bëhen në jetë unë lashë dhe ëndrra të tjera pa përmbushur për shkak të dashurisë dhe familjes, por që gjeta një kohë të dytë për t’i bërë.

Ardit Gjebrea: Shiko, unë nuk dua të të ngushëlloj duke të thënë, por ti gjithmonë ke qenë aty sa herë që babai ka patur nevojë ti ke qenë, kur ti ke patur nevojë ai ka qenë aty…

Alba: Babai im ishte një person që për mënyrën e jetës së tij nuk mbante as telefon, nuk donte dhe ne si vajza që priremi vetëm të telefonojmë nënën, të pyesim për njerëzit në përgjithësi se si janë, unë realisht edhe zërin kisha 3 javë pa ia dëgjuar, është brenga ime kjo.

Ardit Gjebrea: Të ka mbetur.

Alba: Vazhdoj ta ndiej dhe ta vuaj./tvklan.al