Emocione të bukura dhe të sinqerta sollën Oneda dhe Zamira, dy kunatat që erdhën në “Ka Një Mesazh Për Ty”. Nisur nga një sfidë shëndetësore e Zamirës, por edhe nga marrëdhënia e ngushtë, miqësore dhe plot dashuri mes tyre, Oneda vendosi ta surprizonte kunatën në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan.

Ajo i shpreh gjithë admirimin e saj dhe falenderimin për mbështetjen e pakursyer që i ka dhënë në këto 14 vite.

Oneda: E kisha ëndërr të të sillja njëherë kështu, përpara të gjithëve dhe në mënyrën më të mirë, para Arditit për të të thënë sa e rëndësishme ke qenë për mua gjithë këto vite dhe vazhdon të jesh. E para, ke qenë shembull dhe kam ëndërruar të jem sa gjysma jote, nuk e di a jam…

Zamira: Jo, jo, mos e thuaj!

Oneda: Por uroj që të bëhem në të ardhmen. E dyta, je një hallë dhe një motër për mua, shumë, shumë e mirë. Faleminderit që ke qenë gjithë këto kohë pranë meje, më ke mbështetur, ke qarë hallet, më ke kuptuar dhe ke ndarë edhe ato ditët e bukura të pushimit gjithmonë me mua dhe gocat e mia. E treta që dua të them, është që unë e di që ti je mërzitur këto kohë, edhe pse nuk e shpreh. Dua ta ndryshosh se s’bën këtë gjënë që të shprehesh çfarë ke brenda gjithmonë dhe të bëhesh e fortë ashtu siç je vetëm ti, ashtu siç di ta përballosh vetëm ti dhe Gersa, mbesa e vogël që është edhe goca jote, jam kaq e lumtur që të ngjan dhe dua që të bëhet ashtu siç je ti./tvklan.al