Mira shkoi në Greqi vetëm për një javë, por tashmë janë bërë 11 vite pa ardhur. Ndalesa e saj e parë në rikthtimin në Shqipëri është programi “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, në rubrikën “Ka Një Mesazh Për Ty”. Por pse vizita e shkurtër u kthye në një qëndrim kaq të gjatë? Fillimisht, përgjigjja mbetet te Dhimitri, dashuria e saj pas të cilit ‘u marros’ që në shikimin e parë.
Mira: Shkova një vizitë në Katerini sepse kam vajzën e dajës, tjetrën atje. Eh, atje ishte një rastësi që vjehrra e saj i tha “ku e ke patur të fshehur këtë kushërirë kaq të mirë, do t’i gjej burrë unë”.
Ardit Gjebrea: Edhe ta gjeti burrin?
Mira: Ma gjeti, m’u ngjit dhe nuk m’u shkoqit si i themi ne nga Korça. Si i thonë, janë të shkruara disa gjëra por njohja e burrit tim qe vërtet një rastësi sepse edhe ai kur më pa, unë e kisha prerë biletën vajtje-ardhje, e takova te shtëpia e motrës dhe ai nuk tha asgjë fare që a do të dalim më tutje, jo mua, motrës së tij apo njerëzve.
Ardit Gjebrea: Takimi i parë mes ju të dyve ishte enkas që ju të njiheshit?
Mira: Po.
Ardit Gjebrea: Pra ti e dije që do të shihje një djalë, ndoshta të pëlqente ose jo?
Mira: Unë e nisa kështu si kot se nuk e kisha mendjen fare që të fejohesha.
Ardit Gjebrea: Po të pëlqeu?
Mira: Sa e pashë, ma ka bërë ‘tak’ në zemër, për atë Zot! Ai burri im i ka sytë bojëqielli dhe kishte veshur një këmishë bojëqielli dhe ma bënte kushërira sepse e kisha ngjitur, më thoshte “hë të pëlqeu”, po pusho se ma bëri ‘tak’ në zemër i thashë.
Ardit Gjebrea: Po atij ia bëri ‘tak’ në zemër?
Mira: Sigurisht, nuk më la më të ikja./tvklan.al