Kandidati i opozitës për kryebashkiak të Himarës, Petro Gjikuria ka reaguar lidhur me fitoren e kundërshtarit të tij politik, Vangjel Tavo. Përmes një deklarate zyrtare të publikuar në rrjetin e tij social në “Facebook”, Gjikuria shkruan se këto zgjedhje ka pasur metoda antidemokratike në të gjitha stadet e tyre.

Ai pretendon se rezultati përfundimtar ishte produkt i transformimit të listës së zgjedhësve me qëllim përshtatjen me interesat e kundërshtarëve teksa thotë se mijëra qytetarëve i është mohuar e drejta për të votuar. Gjikuria e quan “të dobët” kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Tavon, për të cilin thotë se sipas tij, do i shërbejë interesave të kryeministrit Rama dhe PS-së.

“Patëm një betejë të madhe. Një betejë e cila ishte vazhdim i shumë betejave të mëdha që kanë bërë himariotët, sidomos vitet e fundit të udhëhequr nga Fredi Beleri. Kjo betejë ishte pararojë e betejave të ardhshme që do të thirremi për vendin tonë.

Në këto zgjedhje pamë metoda antidemokratike në të gjitha stadet e tyre. Rezultati ishte produkt i transformimit të listës së zgjedhësve me qëllim përshtatjen e saj me interesat e kundërshtarëve tanë, duke i dhënë mundësinë një ushtrie partiake të merrte pjesë në zgjedhje dhe njëkohësisht, duke u mohuar këtë të drejtë mijëra qytetarëve të Himarës, si dhe duke përfshirë shtetin dhe parashtetin. Qëllimi ishte patja e një tjetër kryebashkiaku të dobët, i cili do t’u shërbejë interesave të Edi Ramës dhe partisë së tij.

Dëshiroj të falënderoj të gjithë ata që ndihmuan në këtë fushatë elektorale për garën e bukur dhe të ndershme që bëmë. Beteja për të nesërmen e Himarës vazhdon”, shkruan Petro Gjikuria.

Kujtojmë se Vangjel Tavo është shpallur fitues i zgjedhjeve të pjesshme në Bashkinë e Himarës me 5022 vota ose 58.62% të tyre, ndërsa rivali i tij Petro Gjikuria ka marrë 3545 vota ose 41.38%. Në këto zgjedhje, kandidati i Partisë Socialiste, Vangjel Tavo kryesoi zgjedhjet me më shumë se 1400 vota në raport me kundërshtarin e tij politik, Petro Gjikurinë./tvklan.al