Partia Demokratike ka akuzuar ish-drejtoreshën e QSUT-së, Albana Fico se ka urdhëruar përdorimin e ilaçeve të skaduara duke rrezikuar jetën e fëmijëve.

Demokratët publikuan disa emaile që sipas tyre faktojnë se me urdhër të Ficos është ndërhyrë në sistemin e farmacive online për të ndryshuar datat e skadencave për 1137 flakonë që përdoren për pacientë me hemofili, duke i kaluar ato në shërbimin Onkohematologji pediatrike.

“Albana Fico në një email pas orës 23:00 të natës i jep porosi Rigersit që të ndërhyjë në sistem pas orës 16:00, kur farmacia të jetë mbyllur e stafi të mos jetë, të heqë datën e skadencës e të nesërmen pra datë 8 mars të bëhet kalimi i këtij medikamenti nga farmacia qendrore në pavionin e onkohematologjisë. Nga emailet vihet re që i ushtrohet presion drejtuesit të IT që të marrë masa urgjente sepse kishin kaluar pothuajse 3 muaj nga porosia e ish-drejtoreshës Albana Fico”, tha Albana Vokshi.

Ky medikament i skaduar sipas demokratëve është ende në farmacinë qendrore, ndaj ata kërkojnë dorëheqjen e Ministres së Shëndetësisë dhe drejtoreshës së QSUT-së, Alma Cani.

Tv Klan