Në ditën e shtatë të luftimeve brenda territorit rus, ku trupat ukrainase kanë përparuar 30 kilometra në rajonin e Kurskut dhe të Belgorodit, presidenti Vladimir Putin mblodhi guvernatorët e zonave kufitare për t’u njohur me situatën.

Në videokonferencën me Putinin, Guvernatori i rajonit Kursk të Rusisë tha se Ukraina kontrollon 28 vendbanime ruse në provincën kufitare, ndërsa mendohet se 121 mije civilë rusë janë evakuuar.

Ndërsa presidenti Vladimir Putin tha se Ukraina e ndihmuar nga aleatët e saj perëndimorë synon të destabilizojë Rusinë dhe se do të marrin përgjigje të denjë.

“Është e qartë që armiku do të tentojë të destabilizojë situatën në zonën kufitare duke tentuar të destabilizojë situatën politike të shtetit tonë. Armiku me siguri do të marrë një përgjigje të denjë duke i nxjerrë jashtë kufirit. Padyshim objektivat tona do të arrihen”, tha Putin.

Rusët po përpiqen të shmangin marrjen nën kontroll nga ukrainasit të centralit bërthamor të Kurskut, që mund të shihet si një kundërpeshë për atë të Zaporizhias, që rusët u morën ukrainasve kur nisën luftën para dy vitesh e gjysmë në Ukrainë.

Rusët thanë se ukrainasit sulmuan trupat ruse që kanë nën kontroll centralin. Zjarri i rënë në central sipas autoriteteve ruse u shua.

Tv Klan