Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka nisur verifikimet për rastin e vrasjes së Egli Progës në Progradec.

Gazetarja e Klan News, Glidona Daci raporton se ILD ka kërkuar nga Prokuroria dhe Gjykata e Korçës të gjithë dosjen hetimore, për të verifikuar nëse është respektuar ligji për regjistrimin e veprës penale “vrasje nga pakujdesia” dhe në seancën për caktim të masave të sigurimit.

Egli Proga u godit nga 29-vjeçari, Denis Meçe pasditen e 10 Gushtit në lagjen nr.1 në Pogradec. Për ngjarjen në pranga u vunë fillimisht 4 persona, mes tyre autori dhe 3 dëshmitarë okularë. Këta të fundit u lanë në detyrim paraqitje nga gjykata ndërsa autori po qëndron në burg me akuzën e “vrasjes nga pakujdesia”.

Ndërkohë ditën e sotme Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku ka hedhur poshtë çdo aludim se vrasja e 42-vjeçarit, Egli Proga në Pogradec është tentuar të fshihet nga uniformat blu. Rrumbullaku tha Policia e Korçës ka vlerësuar maksimalisht atë.

Ndër të tjera lidhur me ngjarjen pati reagim edhe nga kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, i cili tha se ndihma ka mbërritur për 7 minuta në vendin e ngjarjes. Një reagim pati edhe Kryeministri Edi Rama i cili u shpreh se Policia e Shtetit dhe Urgjenca Kombëtare kanë kryer detyrën me profesionalizëm

/tvklan.al