Në disa rrugë mjetet duhet të lëvizin me zinxhirë

Juglindja e vendit u përfshi nga reshje të dendura të dëborës mbrëmjen e së enjtes. Edhe pse tashmë ato janë ndërprerë, në qarkun e Korçës trashësia e dëborës shkon nga 5 në 10 centimetra në qytet dhe deri 15-30 centimetra në zonat malore, duke bërë që disa fshatra si Panariti dhe Lekasi të mbeten të izoluar.

Nga bora janë bllokuar gjithashtu disa fshatra në zonat e thella malore të Pogradecit. Në qarkun e Dibrës ka patur reshje bore dhe temperatura të ulëta deri në -10 gradë. Kjo ka bërë që aksi Peshkopi-Kukës, Peshkopi-Qafë Draj, Ura e Çerenecit-Steblevë dhe Qafë Buall-Krastë të kalohen vetëm me zinxhirë.

Në Bulqizë ka pasur probleme në rrugët e brendshme të qytetit, ndërkohë me vështirësi kalohet në njësitë Krastë, Tërnovë dhe në fshatrat e zonës së Gollobordës. Në rrethin e Matit ka pasur reshje bore, por nuk ka pasur probleme, ndërsa në fshatrat përreth mund të shkohet vetëm me zinxhirë.

Tv Klan