Epoka digjitale ashtu si në botë edhe në Shqipëri ka ndryshuar qasjen e të rinjve ndaj punës.

Këta të fundit po preferojnë përherë e më shumë të jenë ‘shef i vetes’ pa qenë të detyruar të bëjnë një punë fikse 8 orarshe.

“79% e maturantëve të anketuar preferojnë të zgjedhin teknologjinë e informacionit dhe komunikimit për arsyen e vetme që ofron një mundësi fleksibiliteti, të punuarit me më pak orë apo sipas mundësive dhe hapësirave që ata kanë për të ofruar një shërbim”, Erion Muça, ekspert punësimi.

Prirja e të rinjve po fokusohet tek të ofruarit e shërbimeve në bazë të talenteve të tyre.

“Tanimë brezi i ri nuk i vetëofrohet tregut duke pritur ti ofrohet një mundësi punësimi, por vjen në rolin e propozuesit, të aftësive që ka dhe shërbimeve që ofron. Futet në rolin e personit që negocion shërbimin që ofron dhe jo atij që pret t’i ofrohet një mundësi punë”, tha Muça.

Në vitin 2023, 13% e të rinjve 15-24 vjeç rezultuan të vetëpunësuar, ky tregues në krahasim me vitin paraardhës reflektohet në rënie, por sipas ekspertëve ky nuk është trendi real.

“Një pjesë e të rinjve që punojnë në platforma ndërkombëtare nuk i deklarojnë të ardhurat e tyre”.

Gjendur përballë këtyre ndryshimeve për punëdhënësit sugjerohet që të rrisin fleksibilitetin e të punuarit në pozicione të caktuara pune.

Tv Klan