Lajme Arkiva 2003

Ilir Meta: Zhvillimet e fundit pas mbledhjes së kryesisë së Partisë Socialiste nuk janë më të papritura, duke marrë në kosideratë të gjithë zhvillimet e këtyre muajve të fundit në Partinë Socialiste dhe në qeverisjen e vendit, duke mos harruar gjithë këtë debat që është zhvilluar për të frenuar arrogancën e jashtëzakonshme që ka manifestuar dhe demonstron çdo ditë e më tepër zoti Nano si kryeministër i vendit, pushtet të cilin e ka përdorur dhe po e shpërdoron në mënyrë të papërgjegjshme dhe të pakufishme edhe për të kontrolluar dhe uzurpuar totalisht Partinë Socialiste. Pushteti informal i zotit Nano gjatë gjithë këtyre viteve synohet që nëpërmjet këtyre rregullave dhe metodave staliniste të formalizohet nga Kongresi i Partisë Socialiste. Sepse zoti Nano nuk qeverisë dot më në mënyrë demokratike, zoti Nano nuk e drejton dot më Partinë Socialiste në mënyrë demokratike, në mënyrë të hapur. Ai nuk i përballon dot më debatet e hapura dhe parimore për qeverisjen e vendit, sepse i mungojnë plotësisht rezultate dhe i mungojnë plotësisht reformat që duhet të ishin realizuar gjatë kësaj kohe. Po ashtu ai nuk arrin të përballojë dot konkurrimin në mënyrë të hapur dhe demokratike si kryetar i partisë, apo edhe drejtimin e partisë në mënyrë demokratike , sepse i mungon morali për një gjë të tillë, sepse ai ka qenë shkaktari kryesor i të gjitha krizave të Partisë Socialiste dhe njëkohësisht edhe shkaktari dhe provokuesi i të gjithë thyerjes së rregullave në Partinë Socialiste, të statutit të saj të rregullave të tjera të miratuar nga KPD-ja, kryesia etj./tvklan.al