Ish-Kryeministri Sali Berisha mbajti fjalën e tij në protestën e opozitës ku theksoi se Shqipëria sot është i vetmi vend në Europë, me liderin e opozitës të arrestuar pa asnjë fakt dhe kjo pasi ai ka denoncuar çdo aferë të Kryeministrit Edi Rama.

“Nëse çmimi për të mbrojtur shqiptarët, interesat, dinjitetin, sovranitetin e tyre, qenka një “non-grata”, qenka një arrest pa prova, do ta bëja prapë, jo një, por edhe 1000 herë të tjera”, është shprehur Berisha gjatë fjalës së tij.

Sali Berisha: Sot Shqipëria është vendi i vetëm në Europë, me liderin e opozitës të arrestuar politik pa asnjë fakt, provë apo dokument. Kjo, sepse Sali Berisha denoncoi i pari narkoshtetin, shumë e shumë vite përpara se ta denonconin të tjerët. Sepse Sali Berisha kundërshtoi dhe luftoi në 2018, kundër ndryshimit të kufijve të Kosovës, copëtimit të saj dhe projektit ruso-serb të Ballkanit të Hapur.

Sepse Sali Berisha çdo ditë, këto 10 vite ka denoncuar çdo aferë të Edi Ramës, familjes, ministrave dhe zyrtarë të tij, por me emër dhe mbiemër edhe korrupsionin ndërkombëtar. Kjo sepse Sali Berisha nuk pranoi bashkëqeverisjen me PS, të vendosur me marrëveshjen Rama-Basha. Kjo sepse Sali Berisha denoncoi kapjen e plotë të drejtësisë nga Edi Rama, drejtësinë e munguar për shqiptarët. Dhe ua them sot këtu se, nëse çmimi për të mbrojtur shqiptarët, interesat, dinjitetin, sovranitetin e tyre, qenka një “non-grata”, qenka një arrest pa prova, do ta bëja prapë, jo një, por edhe 1000 herë të tjera.

Ish-Kryeministri iu bëri thirrje qytetarëve, demokratëve, dhe socialistëve që të bashkohen për një qeveri teknike dhe për të pasur zgjedhje të lira. Berisha u shpreh se “qeveria teknike është betimi ynë”.

Sali Berisha: Prandaj kushtrimi im sot, shkon për çdo parti opozitare, tradicionale apo të reja qofshin ato, për shoqërinë civile dhe mediat, për veprimtarë dhe aktivistë të të gjitha fushave. Vetëm zgjedhjet e lira janë shpëtim i Shqipërisë. Por, me Edi Ramën zgjedhje të lira nuk ka. Të bashkoheni me ne për qeveri teknike, zgjedhje të lira. Ne do të fitojmë! Kushtrimi im sot shkon për çdo demokrate e demokrat, për socialistët e zhgënjyer dhe qytetarët e paparti, për shqiptarët kudo që ndodhen. Vetëm zgjedhjet e lira janë shpëtimi i Shqipërisë. Por, me Edi Ramën zgjedhje të lira nuk ka. Bashkohuni me ne për të lidhur besën për qeveri teknike dhe zgjedhje të lira. Ne do të fitojmë! Qeveri teknike është betimi ynë!

Ndër të tjera gjatë fjalës së tij Berisha tha se Edi Rama e ka mbyllur ciklin e tij teksa i bëri edhe thirrje për të pranuar qeverinë teknike.

Sali Berisha: Edi Rama e ka mbyllur ciklin e tij. Vetëm një i çmendur mund ta imagjinojë se Edi Rama do qeverisë 4 vite të tjera. Prandaj, sot në emër të Partisë Demokratike, në emër të frontit të gjerë opozitar, në emër të çdo shqiptari që ka mbi trup edhe shpirt plagët e Rilindjes dhe në emër të flamurit kuq e zi, unë sot i jap këtë paralajmërim Edi Ramës: Prano qeverinë teknike, si kushti i të gjitha kushteve për zgjedhje të barabarta, dhe të shkojmë në zgjedhje të përgjithshme.

Qeveria teknike është zgjidhja më e thjeshtë për ty. Ke bërë gjenocid ndaj shqiptarëve Edi Rama. Nëse vetë ndërgjegjja jote, do zgjohej një çast për të kuptuar çfarë i ke bërë Shqipërisë, ajo do ulërinte. E përsëris Edi Rama, në emër të shqiptarëve, mos e drejto Shqipërinë drejt, greminës. Prano qeveri teknike. Me urgjencë.

/tvklan.al