LSI mbajti për herë të parë konventën kombëtare të gruas në një tubim të madh në Pallatin e Kongreseve nga ku kreu i kësaj partie, Ilir Meta, sulmoi ashpër kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, dhe qeverisjen e kryeministrit Sali Berisha.

Meta ka ftuar Ramën të përballet me të publikisht dhe të mos fshihet. Pikërisht ky është ndryshimi mes të dy krerëve, tha ai, pasi Rama nuk përfaqëson politikën e re, por një politikë si ajo e Pangos.

Ilir Meta: “Ky kryetar i Partisë Socialiste zyrtare po tregon çdo ditë e më shumë se nuk ka asnjë respekt për gratë dhe për vajzat shqiptare duke i përdorur për të sharë dhe për të provokuar kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Është koha që të dalim të dy përballë të gjithë shqiptarëve dhe të mos përdorësh më gratë kundër as Ilir Metës dhe kundër askujt tjetër se unë s’kam ndërmend të përdor gratë kundër teje.”

Ilir Meta ka quajtur qeverinë e kryeministrit Sali Berisha si qeveria që brenda një viti ka arritur të shënojë më shumë skandale se të gjitha duke iu referuar ngjarjes së Gërdecit, hetimeve për rrugën Durrës-Kukës dhe shkatërrimit të ndërtimeve në Jalë.

Ilir Meta: “Jemi dëshmitarë të një qeverisje, të cilin nuk e drejton në fakt Sali Berisha, por e drejtojnë dhe komandojnë Fazlliçët e shumtë. Me pak fjalë në një vit qeverisja e Berishave mund të përkufizohet me qeverisjen e krizave që nga kriza e predhave e deri tek kriza e mbërtheckave.”

Në fund kryetari i LSI-së ka ftuar të gjithë simpatizantët e partisë së tij të marrin pjesë në protestën që Lëvizja Socialiste për Integrim do të bëhej në datë 15 Mars, pikërisht një vit pas tragjedisë së Gërdecit.

Mimi Kodheli: “Sot jam këtu për t’i thënë atij të mos merret me gratë e opozitës që e thonë hapur atë që mendojnë, se njëra ndër këto i them se mua më nxjerr në publik kundër Sali Berishës dhe së fundmi dhe kundër tij. Bindja ime se Berisha po e shkatërron këtë vend ashtu sikurse Meta është bërë vetëm një patericë e tij, ndaj duhet t’i vijë turp për gjuhën që po përdor duke bërë të revoltuarin, ndërkohë që çdo shqiptar revoltohet me këtë gjuhë që përdoret sot”./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle