Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka marrë pjesë në festimet e 65-vjetorit të krijimit të brigadës së shtatë sulmuese në Skrapar.

Ndërsa ka vënë lule në varrezat e dëshmorëve të Skraparit në nderim të të rënëve, të cilët luftuan në luftën nacional-çlirimtare Meta ka deklaruar se angazhimi i partizanëve kundër nazi-fashizmit qëndron në themel të integrimit të Shqipërisë në strukturën euroatlantike.

Ilir Meta: “Është për të ardhur keq që në këtë festë mungojnë përfaqësuesit e qeverisë. Në këtë festë nuk përshëndet askush nga Ministria e Mbrojtjes, sepse këta nuk e kanë kuptuar akoma që në themelet e integrimit të Shqipërisë në NATO qëndron pikërisht angazhimi dhe reshtimi i drejtë i partizanëve dhe i partizaneve shqiptare në luftën antifashiste nacional-çlirimtare në krahun që e fitoi betejën kundër nazi-fashizmit”.

Në këtë takim Meta shprehu vlerësimin e tij për kontributin e dhënë nga kjo brigadë në luftën nacional-çlirimtare./tvklan.al