Lëvizja Socialiste për Integrim ka si synim që në zgjedhjet e ardhshme elektorale  të renditet si forcë e parë politike në kryeqytet dhe në disa qytetet të tjera të mëdha, ku fjalën e parë e kanë patur socialistët. 

Këtë objektiv kreu i LSI-së, Ilir Meta, e ka shpallur në Elbasan në një takim me forumet drejtuese të strukturave lokale të këtij qyteti.

Ilir Meta: “Të gjithë shqiptarët që nuk duan që votën e tyre të vazhdojë të zvarritet në këtë humnerë morale, përveçse ekonomike dhe varfërisë ku e kanë zhytur dy forcat e vjetra me luftërat dhe pazaret e tyre të pa principta duhet të votojnë për këtë forcë që interesat e vendit, interesat e publikut dhe interesat kombëtare i ka në plan të parë”.

Në fjalën e tij Meta ka sulmuar Edi Ramën për paktin që sipas tij kryetari socialist bëri me Berishën, lidhur me ligjin për prokurorinë.

Ilir Meta: “Lidershipi krejtësisht i çorientuar i Partisë Socialiste, një lidership që nuk e lidh asnjë gjë me vlerat e shtetit, një lidership që për arsye krejtësisht perverse shet edhe prokurorinë e shtetit të Sali Berishës, i nxjerr prokurorët në rrugë të pambrojtur përballë krimit”.

Meta u shpreh se LSI do të futet në zgjedhje për të fituar mazhorancën dhe hequr nga pushteti sipas tij monopolin PD-PS./tvklan.al