Sali Berisha u pyet këtë të premte në lidhje me zërat që qarkullojnë se mazhoranca do të propozojë si kandidatë Ardian Dvoranin dhe Ina Ramën. Për të dy ata, Berisha tha se janë subjekt i ndjekjeve penale.

Pyetja: Zoti Berisha në mjedisin mediatik po qarkullon informacioni që mazhoranca do t’i propozojë Kuvendit si kandidatë për President në raundin e 4 dhe të 5 dy njerëz që vijnë nga sistemi i drejtësisë të akuzuar nga ju për korrupsion si Dvorani dhe Ina Rama. Këto janë burime mediatike. Në rast se do të propozohen dhe do të zgjidhen si president, cili do të jetë qëndrimi i opozitës në raport me institucionin e Presidencës?

Sali Berisha: Që të dy pa përjashtim janë subjekt ndjekjeje penale, për veprimtarinë e tyre në detyrë. Adrian Dvorani ka fshehur 82 mijë Euro. Adrian Dvorani ka kontratën e apartamentit për 92 metër katrorë kur apartamenti rezulton 128 metër katrorë. Dvorani ka deklaruar se AlbTelecom i ka paguar 17 mijë Euro të detyrimeve që ky kishte për apartamentin e tij dhe mbrapa AlbTelecom ky si relator apo kryegjyqtar ka dhënë 9 vendime kundër agjencive shtetërore në favor të AlbTelecomit privat. Për t’i shpërblyer AlbTelecom-it 17 mijë Euro. Ai është simbol më i nxirë i korrupsionit të gjyqësorit. Ina Rama mori pjesë aktive në puçin që dështoi ë 21 Janar. Ajo, ndërmori një akt të dekapitimit të Gardës, të zinxhirit të komandës me qëllimin e vetëm që dështimi i fazës së parë të kishte sukses në fazën e dytë. Pra ka kryer një veprimtari antikushtetuese e cila nuk parashkruhet kurrë. Këto janë komentet e mia për të dy këta. /tvklan.al