Gazetari: Zoti Braçe në vrazhdën e debateve që kanë përfshirë jo vetëm Partinë Socialiste por edhe nivelet qeveritare a besoni se ndoshta do të mund të pranohet edhe një luftë ndërmjet krerëve të qeverisë për pikëpamje të ndryshme në qoftë se kjo nuk mund të bëhet brenda qeverisë? A mund të nënkuptojmë se meta duhet të dalë jashtë saj për të folur, për të bërë luftë?

Erjon Braçe: Shiko jo thjesht zoti Meta por cilido që mendon të bëjë luftë brenda qeverisë nxjerr veten jashtë, për një mori arsyesh dhe arsyeja kryesore për mua është kostoja që vjen nga kjo luftë jo thjesht për qeverinë, jo thjesht për individët që përfaqësojnë sot socialistët në qeveri, por për shqiptarët. Pikërisht për një arsye themelore, në një qeveri nuk mund të ketë luftë, në qeveri nuk mund të ketë duel. Unë mendoj se nga ky debat ne nuk fitojmë absolutisht asgjë, jo nga ky debat, por nga kjo luftë ne nuk fitojmë asgjë sepse debati është pjesë normale e vetë zhvillimit të partisë socialiste. Absolutisht unë nuk shikoj asgjë madje nuk po kuptoj çfarë po kërkohet.

Gazetari: Zoti Braçe mund të themi se deri pak kohësh ju numëronin si pjesëtarë të…

Erjon Braçe: Së pari mua nuk më numëron dot njeri. Për asnjë lloj arsyeje dhe unë nuk mendoj se e konsideroj veten numër apo shifër brenda Partisë Socialiste. Në qoftë se dikush e ka pasur në mendje këtë, apo këto të tjerat e kanë pasur në mendje këtë, kanë bërë gabim. Gjithsecili ka individualitetin e tij, ka krijuar personalitetin e tij brenda Partisë Socialiste, për këtë kanë një meritë të jashtëzakonshme shumë njerëz që kanë drejtuar Partinë Socialiste gjatë kësaj periudhe, që kanë krijuar mundësitë për tu krijuar këto individualitete dhe këto personalitete brenda Partisë Socialiste, por numra nuk mundet që të krijoj askush.

Gazetari: A mundet gazeta e Partisë Socialiste që ju e drejtoni të mbajë qëndrime?

Erjon Braçe: Gazeta e Partisë socialiste ka një platformë të sajën pavarësisht se është në procesin e shndërrimit në shoqëri aksionere. Ka një profil të sajin. Nuk mendoj se gazeta mund të mbajë qëndrime, të paraqesë mendime të ndryshme siç i ka paraqitur me një mangësi ditën e djeshme që besoj se e keni parë se për çfarë arsyeje ka ardhur. Sot është korrigjuar. Besoj se e keni parë edhe reagimin e zotit Meta në gazetën “Zëri i Popullit” dhe mendimet e gjithë të tjerëve që duhet të flasin për këtë çështje. Pra mund të mbajë qëndrime që përputhen drejtpërdrejtë me partinë socialiste në tërësi, jo të individëve dhe që i shërben edhe interesave kombëtare për të cilat ne jemi mandatuar./tvklan.al