Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Reformatorët e Partisë Demokratike kanë reaguar sot ashpër ndaj qëndrimit të drejtuesve demokratë ndaj Kryebashkiakut Brojka. Ish-kryetari i PD Tritan Shehu dhe deputeti Leonard Demi e kanë cilësuar këtë një veprim tepër absurd.

Tritan Shehu, reformator i PD:- “Është një absurditet i tërë, është një deklaratë krejtësisht e papërgjegjshme, krejt absurde, e cila realisht është një deklaratëe cila nuk ka të bëjë me ngjarjet e një dite përpara, por ka të bëjë me një politikë përjashtuese, larguese, të të gjithë atyre të cilët paraqesin mendime të ndryshme, të gjithë atyre të cilët fillojnë të krijojnë personalitetin e tyre, pra tentojnë në këtë mënyrë t’i bëjnë hije pushtetit absolut të kryetarit të PD”.

Leonard Demi, reformator i PD:- “Brojka është një personalitet i PD dhe që me punën e vet i ka bërë jehonë politikës së PD-së, dhe ka qenë në radhën e parë me vetmohim për ta bërë PD një forcë demokratike dhe që të shkojë vazhdimisht duke përparuar dhe të jetë e aftë për të fituar zgjedhjet e ardhshme si lokalet edhe politikët. Deklarata e zotit Vili Minarolli është një papërgjegjshmëri që zoti Brojka të japi dorëheqjen. Zotin Brojka në postin e lartë të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës e kanë zgjedhur me dhjetera mijëra demokratë të Tiranës, nuk e ka zgjedhur Vili Minarolli. Prandaj unë e ftoj zotin Vili Minarolli ta rishikojë vendimin e vet dhe të bëhet i përgjegjshëm kur del para kamerave dhe në konferenca shtypi, sepse me qeëndrimin e tij ai e dëmton Partinë./tvklan.al

Gazetare – Ornela Bego