Interi do të përballet me Crvena Zvezdën këtë të martë, në Ligën e Kampioneve, me zikaltërit që do të kërkojnë fitoren e parë në këtë kompeticion, pas barazimit me Manchester City-n.

Në konferencë për shtyp, trajneri Simone Inzaghi, kërkoi kujdes nga skuadra e tij, duke thënë se ekipi serb mund të hapë probleme.

Ai dribloi pyetjen, në lidhje me arrestimet e ultrsave të Interit, që akuzohen se kanë bërë biznes me biletat e marra nga klubi. Inzaghi deklaroi se klubi i kishte thënë që të mos fliste për këtë temë.

“Duhet të jemi të kujdesshëm, sepse Crvena Zvezda është një ekip i mirë që po bën mirë në kampionat. Do të jetë një ndeshje me rreziqe dhe na duhet ta menaxhojmë në mënyrën më të mirë të mundshme. Interi duhet t’i japë vazhdimësi paraqitjeve në këtë moment. Përqendrimi është një element shumë i rëndësishëm dhe ne kemi parimet tona për të bërë mirë.

Ultrasit? Po bëhet një hetim. Klubi na tha që të mos flasim asgjë për këtë.”, deklaroi Inzaghi.

Ndeshja mes Interit dhe Crvena Zvezdës, do të luhet këtë të martë, në orën 21:00. /tvklan.al