Në kuadër të turit të tij disa ditor në jug të Shqipërisë ish-kryeministri italian Romano Prodi ka mbërritur për një vizitë në qytetin e Beratit. Pas pritjes së rezervuar nga pushtetarët lokalë, Prodi së bashku me zonjën e tij është shoqëruar për të parë nga afër vlerat muzeale dhe historike të lagjes “Kala” dhe muzeut Onufri.

Romano Prodi: “Në këtë vizitë të radhës jam ndalur në jugun e Shqipërisë. Ndërkohë që herën tjetër do të vizitoj veriun e saj. Shikoj një qytet me trashëgimi të admirueshme fetare dhe dashuri njerëzore. Një lagje muze ende të banuar dhe gjeta një muze që tregon vlerat më të mira historisë. “

I frymëzuar nga ajo çfarë ka parë ish-kryeministri italian është shprehur se Berati meriton të jetë një ndër vlerat të rralla jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të trashëgimisë njerëzore.

Romano Prodi:  “Nuk dua të bëjë arbitrin në lidhje me këtë problem, pasi nuk më takon mua të them nëse Berati do të marrë aprovimin apo jo për të qenë në UNECSO, por unë shikoj një qytet me vlera të mëdha historike të cilat meritojnë të jenë ndër vlerat e njerëzimit.”

Më pas Romano Prodi është ndalur në brendësi të lagjes “Kala”, ku ka vizituar disa nga objektet me vlerë historike në brendësi të saj./tvklan.al