Pas një seance maratonë që përfundoi pas mesnatës, Kuvendi ka vendosur të mos dërgojë në Gjykatën Kushtetuese çështjen e mandatit të deputetes socialiste Olta Xhaçka.

65 deputetë socialistë abstenuan, 9 votuan kundër dhe 25 deputetë të opozitës votuan pro.

Kryetarja e Kuvendit njoftoi se “teksa Kuvendi ka zbatuar gjithë procedura parlamentare për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, meqë ky vendim nuk miratohet, pasi nuk arriti shumicën e kërkuar nga ligji, nesër i drejtohem Komisionit të Venecias për mendim të specializuar mbi standartet e zbatueshme në vendimarrjet e pushtetit legjislativ raportin dhe konkurueshmërinë e parimeve të parashikuara ne te drejten kushtetuese dhe për rastet e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit.”

Vetë deputetja Xhaçka edhe pse e pranishme në sallë nuk mori pjesë në votim. Ndërkohë, 9 deputetët që votuan kundër ishin Jurgis Çyrbja, Bledi Çuçi, Damian Gjiknuri, Tahiraj, Stërkaj, Petro Koçi, Klodiana Spahiu, Bullari dhe Bujar Çela. Në votim nuk mori pjesë as kryeministri Rama, i cili nuk ishte i pranishëm në sallë.

Kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi kërkoi që të lexoheshin dy raportet, gjë që nuk u lejua nga kryetarja e Kuvendit Spiropali, e cila tha se nuk ka dallime për këtë çështje. Sapo përfundoi votimi, deputetët e opozitës përplasën tavolinat në shenjë revolte.

Ata e cilësuan të turpshëm vendimin e socialistëve. Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali njoftoi në përfundim të seancës se do t’i drejtohet menjëhere Komisionit të Venecias për mendim.

Çështja “Xhaçka” ka nisur që prej qershorit të vitit 2022, kur opozita kërkoi heqjen e mandatit të saj me argumentin se deputetja socialiste është në konflikt interesi për shkak të titullit investitor strategjik që bashkëshorti i saj gëzon me vendim qeverie. Pasi mazhoranca refuzoi ta dërgonte këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese opozita iu drejtua këtij institucioni.

Më 10 korrik 2024 Gjykata Kushtetuese shfuqizoi vendimin e marrë në muajin prill nga parlamenti për mosdërgimin e çështjes në këtë gjykatë, Kushtetuesja në vendimin e saj arsyetoi se mandati i Olta Xhaçkës duhet të shqyrtohet pa vonesa në kjo gjykatë dhe se deputetët janë të detyruar ta dërgojnë atë sa më shpejt. Me refuzimin e bërë sërish nga ana e Parlamentit çështja mandatit të Xhaçkës ka krijuar një “ngërç” me Kushtetuesen.

Seanca e djeshme i mbylli punimet rreth orës 12:45.

Klan News