Juventus është fituesi i Kupës së Italisë për herë të 15 në historinë e klubit. Skuadra bardhezi triumfoi me rezultatin 1 – 0 në finalen me Atalanta e zhvilluar mbrëmjen e së mërkurës në stadiumin “Olimpico”. Përballja u vendos nga goli i Vlahoviç në minutën e katërt edhe pse Atalanta krijoi më shumë aksione e volum loje nuk arriti të realizonte. Një rikthim te trofeu pas 3 vitesh për Juventus dhe e pesta Kupë e Italisë për Massimiliano Allegri si trajner që është një rekord.

“Jam me fat pasi kam stërvitur skuadra të mëdha. Duhet të falenderoj vetëm lojtarët, pasi i dhuruan klubit dhe mua një fitore të bukur. Duhet të gëzojmë për këtë sukses, pasi nuk ishim të favorizuar, duhet të përgëzoj Atalanta për mënyrën se si luajti dhe i uroj fat në finalen e Europa League”, tha Allegri.

Pas kësaj sfide u përcaktuan edhe gjysmëfinalet e Superkupës së Italisë që do të zhvillohet vitin e ardhshëm në Arabinë Saudite. Inter do të përballet me Atalanta dhe Juventus me Milan.

Tv Klan