#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim.#tvklan

Historia frymëzuese e Almës

U dashurua me ‘princin e kaltër’ në moshën 15-vjeçare, Alma: Donte më shumë lojërat e fatit se mua

E dashuruar në moshën 15-vjeçare dhe e  martuar në të 16-at, me ëndrra të mëdha se historia e saj do  të ishte njësoj si e përrallave. Ky është rrëfimi i Almës nga Lezha, e cila prej vitesh jeton në Stokholm dhe ndan të shkuarën e saj në “Ka Një Mesazh Për Ty” të “E diela shqiptare” në Tv Klan.

E vendosur për të  jetuar përrallën e saj, Alma zbuloi se mjerisht, princi i kaltër nuk ishte dashuruar me princeshën. Pavarësisht sakrificës së saj dhe familjarëve që dëshironin diçka më të mirë për të,  ajo  zgjodhi të vijonte rrugën e saj, duke i mohuar vetes të vërtetën për hir të dashurisë.

Alma: Unë e kam dashur dhe më ka dashur sigurisht, unë kam krijuar familje me atë person, kam dy fëmijë të mrekullueshëm.

Ardit Gjebrea: Jeni akoma sot bashkë,  pyetja e parë?

Alma: Jo, unë kam 11 vite që jam divorcuar.

Ardit Gjebrea: Çfarë ndodhi?

Alma: Kishte një pasion Ardit. Donte shumë lojërat e fatit dhe i donte më shumë se mua.

Ardit Gjebrea: Po pse mendon që është pasion, ajo është varësi. Dhe kur themi lojëra fati, mund ta specifikosh?

Alma: Po baste, sporte, të gjitha ato që luhen dhe që duan kohën, lekët, vëmendjen,të gjitha shkojnë atje dhe asgjë nuk ngelet për familjen. Edhe dashuria në qoftë se është, nuk di ta tregosh më.

Ardit Gjebrea: Kur e zbulove?

Alma: Ato ishin të zbuluara në fakt por kur je i dashuruar nuk shikon qartë, edhe në atë moshë… Familja ime që u mundua jashtëzakonisht shumë të ma ndërronte mendjen dhe të mos më lejonte. Unë kam patur një baba që më frymëzonte të studioj, të bëhem e fortë, më ka plotësuar çdo dëshirë, por aty nuk ma ndërroi dot mendjen, isha shumë këmbëngulëse dhe e pranuan, megjithëse e dinin që do dështoj.

Mendonte të hidhej në shinat e trenit me vajzën në bark, Alma tregon skamjen: Kisha veç një shishe ujë në frigorifer

Pas martesës në  moshën 16-vjeçare  me njeriun që mendonte se do të shkruante përrallën e saj,  Almës zbuloi shumë pak kohë më vonë se jeta nuk do të ishte e tillë. Varësia e bashkëshortit ndaj lojërave të fatit i ndoqi në Greqi, ku shkuan me shumë mundime për të ndërtuar një  jetë tjetër. Alma tregon në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E diela shqiptare” në Tv Klan se situata nuk u lehtësua aspak, ajo gjendej shpesh e mbyllur dhe e vetme në shtëpi, ndërsa bashkëshorti largohej e ajo nuk e dinte se ku ndodhej.

Ajo punonte 2-3 punë, kurse ai nuk mundohej aspak. Paratë zhdukeshin nga bixhozi e pija, uria ishte ulur këmbëkryq në shtëpinë e tyre dhe dashuria ishte venitur, por Alma sërish qëndronte. Pas  5 vitesh që ndodheshin në Athinë, do të vinte në jetë vajza e tyre  dhe në një çast dëshpërimi, Almës i  shkoi ndërmend një mendim i errët.

Alma: Kur bixhozi shoqërohej edhe me pije,.. nuk dua ta përdor fjalën, por ishte një çikë më e neveritshme, nuk e doje më. nuk ishte i dhunshëm, jo, unë…

Ardit Gjebrea: Nuk ishte për ty.

Alma: Nuk ishte fare për familje.

Ardit Gjebrea: Kur fillove të mendosh sikur ta divorcoj apo jo?

Alma: Gjatë viteve që kemi qëndruar bashkë, ia kam thënë shumë herë që do iki por nuk e kam bërë asnjëherë.

Ardit Gjebrea: Pse?

Alma: Ka patur një periudhë që unë ndihesha sikur jam në një tunel, e mbyllur, errësirë, sikur ai tunel askund s’ka dritë, pa shpreh, kam arritur deri në atë gjendje që unë mos ta dua më jetën. Tani kur shikoj mbrapa është diçka shumë qesharake, por kur gjendesh në atë pozicion… do të të them një rast Ardit, unë kam qenë në pritjen e gocës time, kishte ndodhur një sherr, gjithmonë arsyeja ishte mungesa e parave në shtëpi sepse dhe ato që bija unë iknin, por edhe ato që merrte ai iknin dhe pastaj vinin edhe grindjet sepse ne prisnim një fëmijë, unë kisha pritshmëri doja të krijoja familje dhe thashë këtu stop. Kam vajtur në stacionin e trenit, më kanë ardhur ca ide jo të mira aty.

Ardit Gjebrea: Mos më thuaj që doje të hidheshe përpara trenit?

Alma: Atë kisha menduar. Por unë besoj shumë te Perëndia dhe gjithmonë ta dërgon një shenjë.

Ardit Gjebrea: Mesazhin.

Alma: Po. Aty përpara meje kalon një zonjë, një lypsare dhe kishte dy fëmijë përdore dhe priste edhe një të tretë dhe kërkonte ndihmë nga njerëzit. E pashë dhe thashë çfarë po bën ti? Ajo po lufton për fëmijët, ti çfarë do bësh se dhe ti po pret një fëmijë dhe jam kthyer Ardit, kam vajtur në shtëpi, jam ndierë edhe shumë më e fortë. E kam pritur gocën, kur kam dalë nga spitali me gocën, unë e kam patur frigoriferin vetëm me një shishe ujë, s’kisha asgjë në frigorifer. Goca qante, donte qumësht, unë nuk kisha qumësht, nuk më kishte ardhur qumështi, por nuk kisha as t’i blija dhe i bëja kamomil se thosha mos të m’i dalë shpirti. Nuk kërkoja dot ndihmë, më vinte turp të kërkoja ndihmë, domethënë ishte një situatë që unë e mbaja të fshehur në shtëpi, nuk doja.

E mbytur nga një situatë e pashpresë, me bashkëshortin e varur pas lojërave të fatit dhe dy fëmijë për të ushqyer, Alma kishte humbur besimin. Në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E diela shqiptare” në Tv Klan, ajo shpjegoi skamjen ku jetonte në Athinë,  me frigoriferin shpesh bosh, paratë që nuk mjaftonin kurrë dhe sherret e përditshme.

“Je bërë si lopë”, fyerjet e bashkëshortit e dërguan në psikiatri: U mundova ta përqafoja, më dha një të shtyrë…

Në ditëlindjen e tretë të djalit, pas orësh e orësh që prisnin të festonin, babai i fëmijëve nuk erdhi deri pas mesnatës. Alma kishte harruar qenien e saj, merrte ofendime nga bashkëshorti për pamjen dhe të gjitha këto i shkaktuan kriza paniku, prej të cilave u zgjua në spitalin psikiatrik të Athinës.

Mjaftoi biseda me një psikologe që t’i kujtonte Almës se në të vërtetë kishte një rrugëdalje. Për herë të fundit,ajo u përpoq t’i jepte një puls martesës dhe familjes me shpresën se do mund t’i shpëtonte.

Ardit Gjebrea: Cili ishte momenti që ndave mendjen, the unë do eci e vetme përpara?

Alma: Kishin arritur gjërat në atë pikë sa ne nuk kishim asnjë pikë komunikimi më, edhe në shtëpi rrallë takoheshim. Por momenti që thashë stop ishte kur çuni im kishte ditëlindjen më 30 Korrik dhe bëhej 3 vjeç dhe e marr në telefon, i thashë do vish një çikë herët sot që do rregulloj një çikë që të ndiejnë fëmijët atmosferën që çuni ka ditëlindjen? Dhe më tha “po”. Kaloi një farë ore, nuk e kisha shtruar tavolinën që ta prisnim, e marr në telefon, “erdha, tani kam takuar një shok, po pi një birrë dhe erdha”. Pastaj kaloi një orë, e marr prapë në telefon, “për 5 minuta jam aty, erdha”, kaluan, kaluan, erdhi mesnata, nuk e festuam ditëlindjen e çunit, fëmijët vajtën në gjumë, unë e prita, nuk fola fare kur erdhi. Hyri brenda, “hë mo se sikur ça ka ndodhur” më tha mua.

Jam munduar gjithmonë situatat të kalojnë pa u dëgjuar, e kisha harruar veten fare-fare. Më duket se ajo mbingarkesa… kisha harruar se jam femër, apo një çikë të rregulloj veten apo kisha vajtur dhe isha bërë edhe 100 kile, më thoshte “je bërë si lopë” dhe ajo mbingarkesa… më erdhën kriza paniku. Erdhi ambulanca më mori dhe u gjenda papritmas në spitalin psikiatrik të Athinës. Kur e kam parë veten aty jam trembur, kam thënë po unë çfarë dua këtu? Po fëmijët çfarë do bëhen?

Kam ndenjur aty 2-3 orë bisedë me psikologen. Ka qenë ai momenti që mua më është ndezur në tunel, ajo drita që unë nuk e shihja askund. Ishte hera e parë në jetën time që unë mundesha të nxirrja çdo gjë që kam brenda dhe të shpjegoj tamam si ndihem diku. Dhe një fjalë magjike e psikologes më ka dhënë krahë, më tha “po ti je shumë e fortë”. S’e kisha  dëgjuar të ma thoshte dikush se ti je e fortë dhe ta besoj se jam e fortë, unë besoja se nuk jam e fortë, besoja se nuk mundem, se nuk do ia dal. Këshilla tjetër ishte “me këto që po më tregon”, tha, “ti je në një ambient toksik. Në qoftë se situatën nuk e ndërron dot, ti duhet të ndërrosh ambientin”.

Dhe vërtet unë jam ndierë sikur u çlirova. Ishte hera e parë në jetën time që unë shkova te psikologu sepse e kishim dhe si tabu, të shkoj në psikolog vetë, nuk jam e çmendur, por aty kuptova se çfarë ndihme mund të marrësh. Pastaj shkova në shtëpi, u mundova ta përqafoj sepse unë doja ta shpëtoja situatën në familje, nuk doja t’i jepja fund, pavarësisht të gjithave. Më ka dhënë një të shtyrë, “shih si je moj”, tha. Ai sikur më shtypi edhe një buton tjetër, të nesërmen shkova u regjistrova në palestër, fillova dietën, shkova u rregullova, pas 3 muajsh isha fantastike, ndihesha të paktën, nuk e di si isha vërtet.

Ardit Gjebrea: Të bëri kompliment të paktën?

Alma: Kompliment nuk më ka bërë ndonjëherë, por filloi të xhelozonte. Megjithatë edhe pse u bëra më e bukur nuk u rregulluan marrëdhëniet tona sepse kishte humbur çdo gjë mes nesh dhe nuk doja që fëmijët e mi të rriten në një atmosferë të tillë që prindërit s’kanë më komunikim me njëri-tjetrin dhe në fakt ia kërkova në mënyrë paqësore. I thashë ne kemi marrë fund, mirëpo asokohe shqiptarët e atij brezi sikur nuk e pranojnë lehtë dhe u detyrova dhe lëviza, ndërrova qytet, mora fëmijët dhe ika.

“Zgjohesha nga krizat e panikut”, Alma fton fqinjën që i qëndroi pranë pas humbjes së babait

Pasi u largua nga bashkëshorti i saj i varur pas bixhozit dhe krijoi një jetë të re në një tjetër qytet grek, Lamia, Alma nisi të shihte për mundësi më të mira jetese për fëmijët. Rrugët e çuan në Stokholm ku mendoi se do të ishte vendi ideal për të ardhmen e familjes së saj, por gjeti aty edhe një mike zemre.

Enerieta është arsyeja pse ajo ka ardhur në “Ka Një Mesazh Për Ty” në “E diela shqiptare” në Tv Klan. Pikërisht kur mendoi se gjithçka kishte nisur të vihej në vendin e vet,  Alma u përball me humbjen e njeriut më të dashur për të dhe me të cilin kishte një lidhje të veçantë, babain. Ky ishte momenti kur Enerieta nuk e la kurrë vetëm, në çfarëdo ore e mënyre që Alma të bëhej e fortë.

Alma: Unë kam një shoqe dhe komshie.

Ardit Gjebrea: Ku?

Alma: Në Stokholm. Është një gocë shqiptare, ajo ka vite atje në fakt. Ajo gjithmonë nuk e ka kursyer mbështetjen dhe ndihmën gjithkund ku ka mundur, por përveç asaj ajo është bërë edhe si një mentore për mua. Unë dy vitet e fundit kisha arritur çdo gjë siç doja, shumë mirë. Një gjë nuk kisha llogaritur se mund të ikin prindërit nga jeta. Kisha menduar se do t’i  kem gjithmonë dhe ikja e papritur e babait ishte një goditje. Ishte goxha goditje për mua. Kisha gjithçka por s’po mund të shijoja asgjë. Në mes të natës ngrihesha me kriza paniku dhe e merrja në telefon dhe ajo me pizhame siç ishte, vinte dhe ishte direkt pas derës time. Më ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë ta tejkaloj këtë gjë dhe të punoj me veten time dhe ta pranoj sepse duhet ta pranojmë.

“Kemi kaluar sfida të ndryshme, por dhimbje të njëjtë”, fqinja-Almës: Uroj të gjesh pak qetësi shpirtëore

Enerieta, e cila ka mbërritur në studion e programit, nuk e pret aspak që pas ekranit të fshihet fqinja e saj që ka një mesazh falënderimi për të.

Alma: Unë të kam ftuar sepse ti e di se sa pranë meje ke qenë në një periudhë shumë të vështirë të jetës sime, por në përgjithësi je pranë meje gjithmonë, më frymëzon, nuk më lë të bie, më ndihmon të mendoj pozitivisht.

Enerieta: Nuk e prisja, por Alma kohët e fundit që jemi njohur, ka një energji pozitive, të merr në atë vrullin e saj. Secila nga ne ka kaluar sfida të ndryshme, por në të njëjtën kohë, dhimbja ndoshta e njëjtë. Nuk e prisja që Alma të merrte guximin ta thoshte historinë e saj kaq publike. Unë ndihem shumë krenare faktikisht për ty që e more një hap të tillë dhe mendoj se kjo dalje, ky rrëfim i historisë tënde të të japë pak qetësi shpirtërore sepse në përgjithësi ne këtë kërkojmë, të gjithë njerëzit, qetësi shpirtërore. Më ka munguar se s’ka qenë kohët e fundit dhe më ka marrë malli.

Në hije të autizmit/ Regisa, zëri i të pazëshmëve

Vëllai i madh i diagnostikuar me autizëm, 17-vjeçarja: Që 6 vjeç isha mbrojtja e tij, i thoshin “i çmendur”

Regisa është vetëm 17 vjeçe por ka marrë mësime të forta për jetën në një moshë fare të re. në historinë që ndan në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E diela shqiptare” në Tv Klan, ajo ka marrë gjithnjë rolin e motrës së madhe, edhe pse në të vërtetë është 5 vite më e vogël se vëllai i saj.

Vëllai i Regisës, Niko, është diagnostikuar me spektrin e autizmit dhe Regisa ka qenë gjithnjë mburoja e tij. Ajo kujton një rast nga fëmijëria kur autizmi ishte më i paragjykuar dhe fëmijët e tjerë tregoheshin të pamëshirshëm me Nikon.

Regisa: Unë kam vëllain me spektrin e autizmit, mirëpo ka lindur në Greqi dhe është diagnostikuar,është kapur herët si rast. Vëllai im është 5 vite më i madh se unë. Unë kam nisur që 6 vjeç faktikisht të jem mbrojtja e Nikos.

Ardit Gjebrea: Në ç’ kuptim?

Regisa: Niko ka pasur, të gjithë e dimë shoqërinë  sot, ngacmimet që bëhen te fëmijët që janë të veçantë dhe Niko për ngacmimin e tij më të vogël vraponte gjithmonë tek unë sepse e dinte që unë do dilja ta mbroja, t’i jepja atë sigurinë, pavarësisht se mami dhe babi ishin gjithmonë aty.

Ardit Gjebrea: Cili ishte momenti që the që “6 vjeç e kam mbrojtur?”

Regisa: Mbaj mend ka qenë diku Qershor-Korrik dhe ne po luanim jashtë në lagje. Unë u ngjita lart, vëllai vazhdoi luajti, Niko, vjen sipër dhe ishte i mërzitur, unë e dalloj direkt që ishte i stresuar dhe e pyeta çfarë ke? Më tha “më kanë ngacmuar shokët e lagjes, më shtynë, më thanë ti je i çmendur” dhe normale unë si motra për vëllain që do bëjë të pamundurën për ta mbrojtur, në ato momente unë thjesht dal dhe e mbroj, flas me kalamajtë, flas me prindërit. Normale mami s’ishte në shtëpi në ato momente dhe kur erdhi mami i  them, mami komunikon me prindërit  e atyre  po nuk është se ndodh ndonjë gjë e madhe të themi të drejtën sepse prapë vazhdojmë të kemi mendime të njëjta.

Prindërit iu përkushtuan djalit me autizëm, Regisa: Ndihesha xheloze, merrja dashuri vetëm 10 minuta në darkë

Regisa ka një vëlla 5 vite më të madh, Nikon, i cili është diagnostikuar me autizëm. Vëllai i saj ka kërkuar gjithnjë vëmendjen maksimale jo vetëm të Regisës, por edhe të prindërve. 17-vjeçarja thotë në “Ka Një Mesazh Për Ty” në “E diela shqiptare” në Tv Klan se për shkak të pamundësive të kohës për trajtimin e fëmijëve me spektrin e autizmit, prindërit i ishin përkushtuar tërësisht djalit. Kjo shkaktonte xhelozi te Regisa, një dëshirë të etur për pak më shumë kohë e dashuri për të dhe jo vetëm 10 minuta në mbrëmje.

Regisa: Duke qenë se një fëmijë me autizëm kërkon shumë vëmendje, kërkon shumë kohë, kërkon shumë përkushtim që ai të ecë përpara dhe të fillojë të bëhet i pavarur se kjo është ëndrra e çdo prindi nëse ka një fëmijë me spektrin e autizmit, normale që prindërit e mi merreshin gjithë kohës me vëllain, e stimulonin, i mësonin gjëra dhe…

Ardit Gjebrea: Më fal pak, po cili është problemi që ka vëllai më shumë?

Regisa: Vëllai tani është 98% normal dhe është i pavarur dhe kjo është falë punës së mamit. Mami merrej gjithë kohës me vëllain dhe babi duhet të punonte patjetër sepse mami iu përkushtua e gjitha vëllait dhe unë e merrja si të themi atë dashurinë 10 minuta në darkë sepse ishin të lodhur dhe kur e shtrinin Nikon për gjumë, vinin tek unë, bisedonim 10 minuta dhe ata shtriheshin sepse kishin nevojë për pushim për ditën e nesërme që të fillonin më fuqishëm për të ecur Niko përpara.

Me kohën, Regisa kuptoi se në të vërtetë gjithçka ishte për të mirën e Nikos, i cili sot është i pavarur dhe ka një rutinë ditore të tij, të cilën e ndjek pa ndihmën e askujt.

Regisa: Xhelozia ka qenë në fakt, edhe deri vonë. Thosha po pse Niko duhet të ishte me ata më shumë, pse unë duhet të jem më pak,  pastaj e kuptova që duhet të ishte për të mirën e atij, për pjesën e shpirtit tim që e dua pafund vëllain. E kuptova që ishte për të mirën e tij dhe u bëra si të themi, krahu i djathtë i mamit, ndihmesa e saj sepse e shikoja  sa lodhej ajo dhe sa e rraskapitur ishte në darkë. Pavarësisht fjalëve që dëgjonte gjatë ditës që në atë kohë nuk është se kishte edhe aq shumë mundësi për fëmijët me spektrin e autizmit dhe duhet t’i krijonte vetë, duhet t’i bënte vetë.

17-vjeçarja i jep mesazhin prekës nënës dhe vëllait autik

Pas divorcit të prindërve kur Regisa ishte vetëm 10 vjeç, ajo nisi të lidhej më fort me nënën  e saj, të cilës iu bë krah për ta ndihmuar me të birin autik. Regisa është më e vogël se Niko, por ajo ka qenë gjithnjë mikja dhe mbrojtësja e tij. Sot në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E diela shqiptare” në Tv Klan, Regisa ka ftuar nënën dhe vëllanë e saj për t’i thënë dy fjalë pas gjithë vështirësive që familja ka kaluar.

Regisa: Niko, përveçse që të solla këtu që të takoje Arditin, idhullin tënd, të solla të të them që gjithmonë do jem pranë teje, sa herë të kesh nevojë unë do jem aty të të mbroj. Në çdo etapë të jetës tënde, në çdo hap të jetës tënde, unë do të ndihmoj dhe do të shtyhem përpara me ty. Kurse mami, që unë nuk është se e shpreh dashurinë shumë me fjalë dhe ti e di, e para njëherë të kërkoj falje për këtë, në qoftë se ndonjëherë e kam shprehur dashurinë në mënyrat e mia dhe dua të të falënderoj pafund për çfarë ke bërë për Nikon dhe për mua, pavarësisht se çdo fëmijë mund ta thotë, jo se jemi ne, por ke rritur dy fëmijë të mrekullueshëm dhe ia ke dalë mbanë  e vetme dhe për këtë jam shumë krenare për ty. Për çdo gjë që ti po bën për fëmijët me spektrin e autizmit sot që t’i çosh përpara dhe pse ndonjëherë, iu kërkoj  ndjesë të gjithë fëmijëve me autizëm, jam bërë xheloze sepse kam menduar që të kanë marrë prej meje, por jam shumë krenare që ti  je prindi im./tvklan.al