Kandidatja e mundshme e demokratëve Kamala Harris e fillon fushatën me rezultate pozitive në  disa sondazhe të fundit. Njëri prej tyre i realizuar nga Reuters/Ipsos e nxjerr Kamalën me 44% të mbështetjes së votueseve në shkallë kombëtare në krahasim me 42% të ish-presidentit Trump.

Ky është një rezultat dy pikë më lartë nga sondazhi i mëparshëm kur Biden u përball kundër Trump. Sondazhi i ri, vjen pas largimit të Biden nga gara presidenciale dhe pas Konventës të Partisë Republikane.

Në sfondin e këtij rezultati në sondazhe Harris mbajti tubimin e saj të parë zgjedhor në Miluoki, në wiskons ku kritikoi kandidatin republikan, ish presidentin Donald Trump, se votimi i 5 Nëntorit është një “zgjedhje mes lirisë ose kaosit”.

Kamala Harris, zv.presidente e SHBA-ve: Para se të zgjidhesha nënkryetare, përpara se të zgjidhesha senatore e Shteteve të Bashkuara, unë u zgjodha prokurore e përgjithshme e shtetit të Kalifornisë. Dhe në ato role, mora përsipër autorë të të gjitha llojeve. Predatorë që abuzuan me gratë, mashtruesit që grabitën konsumatorët, mashtruesit që thyen rregullat për përfitimin e tyre, prandaj më dëgjoni kur them, unë e njoh llojin e Donald Trump.

Në një fjalim 17-minutësh, Harris renditi disa prej prioriteteve nëse ajo zgjidhet duke përmendur këtu abortin, do ta bënte më të lehtë për punëtorët anëtarësimin në sindikata dhe trajtimin e dhunës me armë, duke tërhequr një kontrast të fortë me Trump.

Kamala Harris, zv.presidente e SHBA-ve: Pra, e gjithë kjo do të thotë se ndërtimi i klasës së mesme do të jetë një qëllim përcaktues i presidencës sime. A duam të jetojmë në një vend të lirisë , ku të mbizotërojë dhembshuria dhe sundimi i ligjit, apo të jetojmë në një vend mes kaosit, frikës dhe urrejtjes? Ne kemi disa punë për të bërë, por ne nuk kemi frikë nga puna e vështirë.

Harris ka grumbulluar deri më tani më shumë se 100 milionë dollarë  fonde nga donatorët për fushatën e saj. Zv. presidentja siguroi përkrahjen e një numri të mjaftueshëm delegatësh demokratë për t’u emëruar kandidatja e Partisë Demokratike për presidente kundër rivalit republikan Donald Trump.

Delegatët e Partisë Demokrate pritet të zhvillojnë një votim virtual para kuvendit të partisë më 19 Gusht.

Klan News