Shtatë pako kokaine, me peshë 7.3 kg janë kapur në Portin e Durrësit. Lënga narkotike u gjend e fshehur në një furgon mallrash të kompanisë ‘Bledi Trans” e cila merret me transportimin e pakove për emigrantët në itinerarin Shqipëri – Itali – Angli. Kokaina ishte paketuar në qese vakumi për të mos u nuhatur nga qentë anti-drogë.

Mbrëmjen e djeshme furgoni ka shkuar në portin e Durrësit për tu nisur drejt Barit, (Itali) dhe më pas destinacioni përfundimtar ishte Anglia. Furgoni me targa Angleze i është nënshtruar kontrollit pasi kishte sinjalizime se brenda tij kishte sende të paligjshme. Skaneri ka zbuluar 7 pakot me kokainë poshtë sediljes së shoferit, një fund i dyfishtë në formë xhepi fundor që të ishte e vështirë të identifikohej nga policia.

Deri më tani janë arrestuar dy persona Arjan Doçi, 38 vjeç shoferi i furgonit dhe djali i tezes së tij Mentor Çuni 39 vjeç, pronari i furgonit, ndërkohë po vijojnë hetimet për të zbuluar të implikuarit e tjerë të këtij rrjeti të trafikut.

Sipas burimeve pakot ishin porosi nga Tirana, por nuk kanë dhënë më tepër detaje mbi personat që i kanë dorëzuar pakot në kompani dhe se kush i ka vendosur në furgon. Ata nuk kanë dhënë asnjë detaj as për marrësin.  

Kompania ‘Bledi Trans” rezulton e regjistruar në Angli, nisur nga ky fakt policia shqiptare nëpërmjet ofircerit të kontaktit ka kërkuar informacion edhe në Britani. Po ashtu hetuesit janë duke parë edhe lëvizje që kanë kryer kushurinjt me mjetin e tyre për të zbuluar edhe personat e tjerë të përfshirë në këtë çëshjte. Destinacioni zyrtar i këtij furgoni ishte Tiranë-Durrës-Bari-Francë(La Mansh)-Angli.

Klan News