Të shtunën Zvicra do të përballet me Anglinë në ndeshjen e vlefshme për çerekfinalet e kampionatit europian. Në këtë përballje helvetët rrezikojnë të mos kenë në dispozicion kapitenin e tyre, Granit Xhakën.

Sipas gazetës angleze “Metro”, Granit Xhaka do t’i nënshtrohet skanimeve për të parë nëse ka një dëmtim. Të enjten ai ka anashkaluar stërvitjen me ekipin. 31-vjeçari mësohet se ka pasur shqëtësime dhe dyshohet se mund të ketë një dëmtim muskulor në këmbën e majtë.

Gjatë konferencës për mediat Xhaka tha do t’i nënshtrohet një rezonance magnetike për të parë nëse ka dëmtim.

Xhaka: Ne praktikuam gjuajtjet e penalltive para ndeshjes me Italinë. Në përpjekjen time të parë ndjeva diçka në kofshën e majtë. Kjo është arsyeja pse unë anashkalova stërvitjen të enjten. Të premten në seancën e fundit stërvitore gjithçka ishte sërish mirë. Por në lojë, ndaj Italisë e ndjeva sërish pas 15 minutash. Fatmirësisht kemi mjekë shumë të mirë që më dhanë diçka për të. Isha në gjendje të luaja të gjithë ndeshjen më pas, gjë që ishte e rëndësishme për mua. Do tí nënshtrohem një rezonace magnetike për të parë saktësisht se çfarë kam. Por unë kam shtatë ditë tani për të trajtuar gjithçka.

Xhaka, kampion me Bayer Leverkusen, ka zhvilluar deri më tani një turne të admirueshëm duke u shpallur dhe “Lojtari i ndeshjes”. Zviceranët u bënë skuadra e parë që rezervoi vendin e tyre në tetë ekipet çerekfinalistë duke mundur 2-0 dhe duke dominuar ndaj Italisë.

/tvklan.al