E ftuar në emisionin “Shije Shtëpie” në Tv Klan ka qenë dermatokozmetologia e njohur, Iva Çaushaj, e cila ka folur më me detaje përsa i përket kujdesit ndaj lëkurës. Po ashtu, ajo ka sugjeruar një maskë për një lëkurë të dehidratuar që do të na shërbejnë, sidomos këto ditë të ftohta.

Iva Çaushaj: Maska që kemi propozuar për sot është një maskë që ka 3 ingredientë natyralë dhe shumë të thjeshtë për t’u siguruar në kuzhinat tona. E para është avokado që është një frut, e cila ka një përqindje shumë të lartë të vajit, pra siguron shtresën lipidike në lëkurën tonë. Ka veti rigjeneruese në lëkurën tonë.

Mjalti është ingredient i dytë që propozojmë meqë jemi në stinën e ftohtë dhe lëkurat vuajnë shpesh tharjen dhe dehidratimin. Mjalti duke qenë një lëndë sheqerore, do të sjellë hidratimin në lëkurën tonë.

Kosi është gjithashtu një përbërës shumë i mirë, i cili gjithashtu shërben edhe si qetësues, inflamator. Të 3 këto komponentë së bashku do të futen në një mikser, do të trazohen derisa të përftohet një përzierje e homogjenizuar. Aplikohet në lëkurën e larë dhe të pastruar. Do të mbahet 15-20 minuta dhe më pas do të eliminohet duke e shpëlarë me ujë.

Katerina Trungu: Sa herë mund të përsëritet në muaj?  

Iva Çaushaj: Mund të përsëritet deri 2 herë në javë./tvklan.al