Në përfundim të bisedës me Genti Hupin, trashëgimtarin e kullës Hupi në Bulqizë, Eni Çobani i bëri thirrje fqinjit të tij, Lulëzim Hupit dhe instancave shtetërore për të zbardhur çështjen. Në këtë puntatë të “Shihemi në Gjyq” që u zhvillua në zyrën e saj dhe jo në studion e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, ndërmjetësja dhe qytetari zbuluan mashtrimin e kullës Hupi.

Objekti njihet si monument kulture, por Lulëzimi ka përfituar  nga mbiemri i njëjtë për të reklamuar bujtinën e tij si kulla Hupi, edhe pse e ka regjistruar me termin e parë. Ai përdor fotot e biznesit krah togfjalëshit “kulla Hupi”, ka marrë pjesë të monumentit për t’i vendosur në bujtinën e tij ndërkohë që bashkia Bulqizë nuk ka ndërmarrë asnjë masë.

Duke qenë se Lulëzim Hupi nuk pranoi të përballej me Gentin, ai ka hedhur poshtë pretendimet e tij në një takim të mëparshëm me ndërmjetësen. Por biseda me Eni Çobanin nuk ka mbetur me kaq. Ajo zbulon se ka marrë një kërcënim prej tij përmes celularit të cilin do ta publikojë nëse situata vazhdon.

Eni Çobani: Mos harro dhe një fakt dhe duhet ta dinë edhe shqiptarët që është hera e parë që unë marr një mesazh nga një qytetar sikundër është Lulëzim apo Lulian Hupi që në momentin që u ftua për të qenë publikisht përballë shqiptarëve me një të vërtetë sikundër thotë Genti Hupi, por pse jo edhe me të vërtetën e Lulëzim Hupit, Eni Çobani ka marrë një kërcënim. Mos harro se ia ke çuar Eni Çobanit dhe nëse do të dëshirosh, unë sot nuk do ta bëj publike, por në një emision tjetër nëse do të vazhdosh, do të lexoj çdo rresht që ke shkruar në këtë mesazh./tvklan.al