Lajme Arkiva 2003

Hetimi nga parlamenti i kryebashkiakut të Tiranës Edi Rama është shndërruar këtë javë në një nga debatet më të nxehta mes mazhorancës dhe opozitës. Të vetëdijshëm se janë në lojë zgjedhjet e tetorit socialistët nuk do të pranojnë propozimin e demokratëve për ngritjen e një komision hetimor ndaj kryebashkiakut Edi Rama.

Debatet mbi këtë çështje zgjatën tre ditë në parlament dhe asnjëra palë nuk është tërhequr nga pozicioni i saj. Demokratët kanë paralajmëruar pasojë të rënda për vendin nëse në seancën e të hënës socialistët do të hedhin në votë dhe do të rrëzojnë kërkesën e tyre. Debatet në parlament u shoqëruan ashtu siç pritej nga përplasjet e forta mes deputetëve.

Akuzat e opozitës për ministrin e drejtësisë Agron Duka për pak sa nuk degjeneruan në rrahje mes socialistëve dhe demokratëve. Seancat u ndërprenë herë pas here dhe përfundimisht partia demokratike braktisi sallën e parlamentit për të mos marrë pjesë në votimin e komisionit anti Rama siç kërkojnë socialistët.

Për këtë arsye votimi i parë dështoi, por një tjetër surprizë do të vinte nga parlamenti. Lideri i opozitës Berisha zgjodhi pikërisht podiumin e kuvendit  të Shqipërisë për ti kërkuar ndjesë ish-kryeministrit Ilir Meta për akuzat e hedhura ndaj tij se në kohën kur ishte në pushtet zoti Meta kishte blerë median. Duke pranuar gabimin e para një viti, Berisha deklaroi se uzurpatori i vërtet i medias Shqipare është kryetari i Bashkisë së Tiranës Edi Rama.

E vetmja fytyrë e qeshur në gjithë këto sherre dhe debate ishte ajo e kryeministrit Fatos Nano. Që në filli të javës ai ka filluar një sulm të ashpër ndaj grupit mediatik Klan. Gazetat publikuan se Nano kishte dështuar në përpjekjet e tij për të blerë këtë kompani, një nga grupet më të mëdha dhe më me ndikim në median shqiptare. Për hakmarrje kryeministri urdhëroi mbylljen e një prej aktiviteteve ekonomike të Klanit lotarinë “Porta e Fatit” dhe ka kërcënuar me burg pronarët e saj.

Përkundër këtij veprimi gjithë spektri politik shqiptar doli në mbështetje të fjalës së lirë dhe pavarësisë së mediave duke dënuar çdo përpjekje të kryeministrit Nano për të vënë nën kontroll median shqiptare. Këto veprime janë shoqëruar edhe me reagime të ndryshme për domosdoshmërinë e ndryshimeve në qeveri.

Në të tillë pozicion u shfaq ish presidenti Rexhep Meidani, i cili adresoi kritika të forta për kabinetin Nano. Në krahë të ndryshimeve doli edhe kreu socialdemokrat Skënder Gjinushi i motivuar nga një marrëveshje e re që pritet të firmoset mes socialistëve dhe socialdemokratëve. Ndërkohë skandalet e kryeministrit Fatos Nano dhe krahut të tij të djathtë Kastriot Islami po mbushin faqet e gazetave të pakontrolluara nga qeveria. Mashtrimi i fondit monetar ndërkombëtar nga çifti Nano-Islami për pastërtinë e figurës së drejtorit të përgjithshëm të doganave Ferdinand Papadhima ka dalë në dritë.

Në letrën dërguar FMN-së Nano dhe Islami mohojnë se zoti Papadhima ka qenë i dënuar për kontrabandë cigaresh, por dokumentet e publikuara tregojnë të kundërtën, duke nxjerrë në pah mashtrimin që i është bërë FMN-së nga Ministri i Financave me urdhër të kryeministrit Fatos Nano.

Telashet nuk kanë të mbaruar për Shqipërinë  e rreshtuar në krahë të 13 shteteve të Evropës lindore edhe qeveria shqiptare ka marrë kritika të ashpra nga presidenti i Komisionit Evropian Romano Prodi dhe presidenti Francez Zhak Shirak.

Në deklarimet e tyre publike dy nga njerëzit më të rëndësishëm të Bashkimit Evropian janë shprehur kundër qëndrimi të këtyre vendeve për të mbështetur politikën amerikane ndaj Irakut./tvklan.al