Një ish-oficer policie në Lezhë është arrestuar për shpërdorim detyre. AMP njoftoi ditën e sotme se ekzekutoi vendimin e Gjykatës së Lezhës që e kishte lënë 29-vjeçarin Klisman Nikolli në arrest me burg.

Nikolli ishte shpallur në kërkim nga AMP-ja dy vite më parë. Dyshohej se gjatë ushtrimit të detyrës në Komisariatin e Lezhës ai ka lejuar kultivimin e kanabisit në zonën e Njësisë Administrative Ungrej.

“Lufta kundër kultivimit të kanabisit, parandalimi dhe goditja e paligjshmërive në radhët e policisë së shtetit vazhdon në mënyrë sistematike, intensive, me një bashkëpunim të të gjithë institucioneve ligjzbatuese”, njoftoi AMP.

Por përveç këtij rasti, emri i Klismanit Nikollit doli edhe në mediat italiane. Bashkë me dy bashkëpunëtorë të tij ai u arrestua mbi akuzat për vjedhje banesash 2 vite më parë. Pas këtij rasti drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku e përjashtoi atë nga radhët e uniformave blu./tvklan.al