Ish-drejtori i Policisë së Lezhës, Henerigert Mitri, i shpallur në kërkim nga SPAK gjatë operacionit “Revanshi”, është vetëdorëzuar në polici.

Klan News raporton se Mitri u dorëzua në Policinë e Tiranës pasditen e kësaj të mërkure (11 Shtator 2024).

“Sot më datë 11.09.2024, rreth orës 18:45, është vetëdorëzuar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, shtetasi H. M., i shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Revanshi”.

Policia e Tiranës

Pas urdhër-arresteve të lëshuara nga SPAK, Henerigert Mitri u përjashtua nga radhët e Policisë së Shtetit më 20 Maj 2024 me vendim të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë.

Henerigert Mitri dyshohet se gjatë kohës që ushtronte detyrën e drejtorit të policisë së qarkut Lezhë së bashku me oficerin Klodian Shahini, gjithashtu i akuzuar nga SPAK, ushtronin aktivitetin e kultivimit të kanabisit dhe të lojërave të fatit në qarkun e Lezhës. E gjithë veprimtaria e tyre u zbulua nga zbardhja e komunikimeve në aplikacionin “Sky”.

Në momentin e lëshimit të urdhër-arresteve nga SPAK, Henerigert Mitri Henerigert Mitri mbante postin e shefit të Sektorit të Analizës së Riskut, në Drejtorinë e Menaxhimit dhe Drejtimit, në Departamentin për Sigurinë Publike. 

Gjatë operacionit “Revanshi”, SPAK lëshoi 50 urdhër-arreste dhe goditi 7 grupe kriminale.

/tvklan.al