Dhame

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka depozituar në Prokurori një kallëzim penal për Drejtoreshën e Përgjithshme të Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Lulinda Dhamen. Ajo akuzohet për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera apo ankande publike. Veç kallëzimit, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kërkuar edhe shkarkimin e saj të menjëhershëm nga detyra.

Sipas këtij institucioni, vetëm në periudhën Tetor 2013, kur Dhame u emërua në këtë detyrë, deri në Dhjetor të vitit 2014, ajo i ka shkaktuar një dëm ekonomik shtetit në vlerën e 94 milionë lekëve.

KLSH ka kontrolluar të gjitha procedurat e tenderave apo të fondeve nga viti 2012 deri në fund të vitit 2014, por ka konstuar shkelje vetëm në periudhën Tetor 2013 – Dhjetor 2014 dhe asnjë problem përpara kësaj periudhe.

Sipas raportit të KLSH, Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Turizmit nuk ka ndjekur qëllimisht procedurat e prokurimit për “tender të hapur”, duke copëzuar fondet për të shmangur konkurrencën e operatorëve ekonomikë dhe për të favorizuar subjekte të ndryshme private.

KLSH thotë se kjo situatë mbështetej edhe nga fakti i mosndjekjes së procedurave ligjore për miratimin e programit vjetor të aktivitet të Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit, në vartësi të së cilës ka qenë Agjencia Kombëtare e Turizmit në periudhën e auditimit.

Abuzimet kanë të bëjnë me panairin e Berlinit, dekorimin e Tiranës për vizitën e Papa Franceskut, apo Traku Fest, festivalin e organizuar në Gjirokastër nën kujdesin e Ministrit të Mirëqënies Sociale, Erion Veliaj.

Në tenderin për “Arredimin e stendës pjesëmarresë në panairin ndërkombëtar të Turizmit, në Berlin, me fond limit 6.651.00 lekë pa TVSH, në hartimin e specifikimeve teknike dhe llogaritjen e fondit për vitin 2014 nuk janë zbatuar kriteret e përcaktuara për prokurimet publike, nuk janë përgatitur preventivat paraprake, të cilat bëhen për çdo aktivitet promocional dhe miratohen nga titullari i institucionit.

Për pasojë janë copëzuar fondet buxhetore pasi janë kryer procedura prokurimi të llojit “kërkesë për propozim” apo “blerje me vlera të vogla” dhe jo procedura “tender i hapur” duke iu shmangur procedurave konkurruese të prokurimit, në kundështim me vendimin e Këshillit të Ministrave të vitit 2007.

Gjithashtu nga auditimi i zbatimit të kontratës konstatohet se mallrat e bëra dalje nga magazina për arredimin e stendës në panairin e Berlinit, nuk rezulton të jenë bërë hyrje në magazinë, pasi në kartelat e magazinës si dhe nga kontrolli fizik i saj, nuk konstatohet ky fakt.

Abuzime, sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, ka patur edhe në prodhimin e materialeve promocionale në kuadër të vizitës së papa Françeskut në Shqipëri, me fond limit prej afro 53 milionë lekësh.

Në raport thuhet se përzgjedhja e procedurës së prokurimit nuk është bërë në përputhje me kërkesat e ligjit për Prokurimin Publik, pasi nga data e shpalljes së vendimit më 23 Korrik të Komisionit Shtetëror deri në ditën e vizitës së Papa Françeskut më 21 Shtator, është kohë e mjaftueshme për të përzgjdhur procedurën e nevojshme të prokurimit dhe për të mos shmangur konkurrencën në prokurim.

Në TrakuFest, festivalin i Trashëgimisë Kulturore që u zhvillua në Gjirokastër, nën kujdesin e Ministrit Erion Veliaj, raporti thotë se në rolin e Kryetarit të Autoritetit Kontraktor, Drejtoresha e Përgjithshme e AKT –së ka bërë pagesa për këtë aktivitet që nuk është i lidhur direkt me promovimin e turizmit dhe ka copëzuar fonde për relizimin e tij.

Shpenzimet kanë qenë të pajustifikuara dhe në shkelje të disiplinës financiare. Rezultoi se një pagesë prej 7 milionë e 400 mijë lekësh është bërë në favor të një subjekti për të cilin Agjencia Kombëtare e Turizmit nuk ka asnjë dokumentacion për regjistrimin si subjekt fizik apo juridik, çertifikatë të QKR –së, apo licensë profesionale.

Shpenzimet janë kryer kryesisht për transportin e personave nga Tirana në Gjirokastër e kthim dhe për akomodim fjetje në hotel, të cilat nuk kanë lidhje thelbësore me objektin e qëllimin e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, përcaktuar në ligjin për Turizmin.

Auditimi i KLSH ka zbuluar gjithashtu se janë prokuruar shërbime për të cilat nuk ka patur asnjë nevojë apo domosdoshmëri nga ana e AKT –së, siç është rasti i marrjes me qera të një magazine prej 700 metrash katrorë në ish ambientet e Praktiker, në një kohë kur Agjencia ka patur dhe ka nën administrim edhe dy magazina të tjera brenda godinës ku ndodhet aktualisht.

Ka rezultuar se këto ambiente përdoreshin edhe nga një subjekt tjetër privat dhe se brenda tyre nuk kishte materiale të AKT –së, por disa tavolina dhe një sasi e pajustifikuar motorrësh garash dhe goma makinash e motorrësh, jo në pronësi të Agjencisë.

Abuzime janë konstatuar edhe në mospërmbushjen e detyrave funksionale lidhur me zbatimin dhe plotësimin e kritereve për marrëveshjet ekzituese të qerasë dhe për marrëveshjet e zhvillimit të lidhura me subjektet që kanë përfitura statusin “person i stimuluar”.

Është konstatuar gjithashtu se me udhër të Drejtoreshës janë zgjidhur kontrata e punës në kundërshtim me dispozitat e Kodit të Punës për 3 punonjëse që e kanë paditur Agjencinë dhe se ka patur shkelje edhe në mbajtjen e pagesave për disa punonjës të tjerë.

Veç kallëzimit penal në Prokurori për Drejtoreshën e Përgjithshme të Agjencisë, Julinda Dhamen, Kontrolli i Lartë i Shtetit, si pasojë e keqadministrimit të këtij institucioni, ka rekomanduar marrjen e 9 masave organizative dhe 15 masave disiplinore.

Tv Klan