Grima analizon Norvegjinë

Trajneri i Kombëtares Shqiptare të Futbollit për Femra Armir Grima u shpreh se ndaj Norvegjisë do të jetë një sfidë e fortë, pasi kundërshtare është një nga kombëtaret më të mira të Europës.

Kuqezezat do të përballen më 25 Nëntor kundër skandinaveve në “Air Albania”, ndërsa pesë ditë më pas kundër Kosovës në Prishtinë në ndeshjet e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Botëror “Australi – Zelandë e Re 2023”.

Përfaqësuesja ka nisur përgatitjet që nga dita e diel, ndërkohë që tekniku tregoi se gjendja e ekipit nuk është ajo maksimalja.

Armir Grima: Norvegjia bashkë me ca skuadra të tjera është maja e futbollit europian për femra. Besoj  që është një kundërshtar mjaft i fortë, gjithsesi ne do japim vlerësimin sa i takon dhe do mundohemi të kemi një paraqitje sa më dinjitoze ashtu siç kemi pasur dhe në ndeshje tjera me kundërshtarë të fortë. Nuk mund të veçoj as Kosovën mbas Norvegjisë dhe do Zoti të shkojë me sukses.

Trajneri i vajzave kuqezi foli edhe për rritjen që ka pasur Shqipëria dhe shpreson që kjo ecuri të vazhdojë.

Armir Grima: Jemi rritur me pikë dhe në  renditjet e UEFA-s dhe FIFA-s por problem është se nuk jemi në momentet më të mira. Kemi dëmtime, kemi probleme me pajisje pasaportash, kemi probleme me disa vajza që e kanë lënë futbollin fare. Të gjitha ndikojë tek ne, megjithatë besoj që jemi mirë dhe do Zoti të vazhdojmë me këtë ritëm.

Grima shpreson që deri në ditën e ndeshjes grupi i futbollisteve do të plotësohet.

Klan News