Shqipëria ka fituar një tjetër çështje në arbitrazhin ndërkombëtar “ICSID”, kësaj radhe me kompaninë “Durrës Kurum Shipping SH.P.K”.

Lajmin e ka bërë të ditur Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për koncesionin e terminalit të kontejnerëve në Portin e Durrësit.

Ministria e Infraqstrukturës dhe Energjisë: Pretendimet e Kompanive Durres Container Terminal SH.A, Metal Commodities Foreign Trade Corp. dhe Altberg Developments LP,  lidheshin me ndërprerjen e koncesionit mbi terminalin e kontejnerëve në Portin e Durrësit. Paditësit kërkonin dëmshpërblim në shuma që tejkalonin vlerën e 100 milionë dollarëve amerikanë. Nga ana e saj Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë përmes argumenteve ligjore e ka fituar këtë çështje në të gjitha shkallët e gjyqësorit shqiptar. Tribunali i gjykatës së arbitrazhit “ICSID” unanimisht vendosi që koncesioni u ndërpre në respektim të legjislacionit vendas nga gjykatat shqiptare sipas procedurës së rënë dakord në kontratë dhe hodhi poshtë pretendimet e Paditësve.

Tribunali urdhëroi Paditësit të paguajnë shumicën e shpenzimeve dhe kostove të Republikës së Shqipërisë në këtë proces arbitrazhi.

Rezultati i këtij procesi u arrit nga puna e bërë nga grupi i punës, i përbërë nga ekspertë të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Avokatura e Shtetit dhe Autoriteti Portual Durrës.

Ky vendim vjen pak kohë pasi një tjetër çështje e rëndësishme u fitua nga shteti shqiptar në gjykatën ndërkombëtare e cila dha vendimin përfundimtar për mosmarrëveshjen e ngritur nga Bankers Petroleum kundër Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë së Shqipërisë e Albpetrol.

Klan News