Mbyllen vendkalimet kufitare dhe aeroporti i Shkupit

Ministri i Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, Venko Filipche njoftoi se janë konfirmuar pesë raste të reja që kanë rezultuar pozitiv me koronavirus dhe dy të diagnostikuar në një laborator tjetër që gjatë të martës duhet në mënyrë plotësuese të konfirmohen në Laboratorin e Institutit për Shëndet Publik në Shkup. Me këtë, numri i të infektuarve në Maqedoninë e Veriut ka arritur në 23.

“Kemi 5 raste të reja që kanë rezultuar pozitiv me koronavirus dhe dy të diagnostifikuar që duhet të konfirmohen në Shkup. Në mëngjes ishin testuar shtatë persona, negative janë rezultatet për tre persona nga Dibra. Pozitive janë rezultatet e një pacienteje në Shkup, është 54-vjeçare dhe është kthyer nga Holanda. Për momentin po kontaktohen edhe 31 personat tjerë që kanë qenë me të në aeroplan”.

Në mbledhjen e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut është miratuar vendimi për mbylljen e të gjitha vendkalimeve kufitare për shtetasit e huaj, përveç tranzitimit të automjeteve transportuese dhe trupës diplomatike, për të cilët do të duhet leje e posaçme nga Ministria e Brendshme. Gjithashtu me vendim qeveritar është mbyllur edhe aeroporti i Shkupit. Të drejtë hyrje do të kenë vetëm shtetasit e RMV-së, diplomatët, VIP-at dhe transporti i mallrave. Ky vendim i qeverisë hyn në fuqi 48 orë pas miratimit. 

Klan Macedonia