Në Shkodër u zhvillua konkursi ndërkombëtar për Rozafën e re, ku u paraqitën projekt-idetë 5 studio të mirënjohura europiane përpara jurisë ndërkombëtare.

Kryeministri Edi Rama tha se me projektin fitues do të ripërtërihet dhe zgjerohet hoteli kryesor i qytetit, me kapacitete të reja akomoduese për ata që vizitojnë Shkodrën.

“Një objekt i cili nuk është thjesht një objekt privat, por është një objekt që ne synojmë të krijojë një ikonë të këtij shekulli për Shkodrën.”

Në Shkodër është drejt përfundimit edhe projekti për Muzeun e Kujtesës.

Nga kryeqendra e veriut kryeministri tha se janë gati kontratat për segmentet e reja të Korridorit Blu përveç atij Thumanë –Kashar që do e bëjnë distancën Tiranë – Shkodër vetëm 40 minuta.

“Për pak ditë do të lidhen edhe kontratat e reja për segmentet me poshtë nga Thumana në Kashar tanimë e kemi, nga Kashari pastaj në Rrogozhinë, nga Rrogozhina në Fier dhe kështu koha e lidhjes së Shkodrës me Tiranën, brenda kësaj dekade do të jetë rreth 40-45 minuta, ndërkohë që koha e lidhjes së Shkodrës me jugun poshtë do të jetë sa ç‘është sot koha e lidhjes me Tiranën, pra do të mund të shkohet deri në Vlorë për 2 orë” u shpreh Rama.

Nuk munguan as në këtë rast batutat.

“Shpresoj dhe besoj që do të kemi tanimë të tjerë evente si ky, do sfidohet edhe me shumë Pjerin Ndreu në Lezhë që ka kaq kohë që përpiqet ta kthejë Lezhën në një qendër më të rëndësishme se Shkodrën. E ka shumë më të vështirë, por megjithatë jam i bindur se duke parë nga Shkodra, do mësojë edhe do i çojë më tutje edhe planet e veta ambicioze” tha Rama.

Me zgjedhjen si kryebashkiak të Shkodrës së Benet Becit janë shtuar investimet në këtë qytet që po tansformohet çdo dit.

Klan News