Emigrantët nuk janë më blerësit kryesorë të apartamenteve në qytetin e Korçës, ndërtuesit thonë se prej një vitit interesi i tyre ka rënë ndjeshëm gjë që ka çuar sektorin e ndërtimit në këtë rreth në një situatë kritike.

Lida Kushe: “Emigrantët janë të kufizuar, ka filluar të ndihet dhe e kanë shumë të vështirë shlyerjen e detyrimeve që kanë me ne.”

Ilir Selenica: “Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm që të ardhurat nga emigracioni kanë rënë, por gjithashtu kemi një zhvlerësim të monedhës kombëtare në këto muajt e fundit, gjë që e bën situatën në disfavor të sektorit të ndërtimit.”

Tregu i banesave në qytetin e Korçës numëron prej 1 viti më shumë se 500 apartamente të pa shitura, shifër kjo që konsiderohet më e larta e viteve të fundit.

Daniela Zisi: “Ky është një apartament i cili ka përfunduar së ndërtuari disa muaj më parë, por që ende nuk është shitur. Ai ka një sipërfaqe prej 110 m2 dhe vlera e tij llogaritet në 55 mijë euro.”

Por me gjithë situatën e krijuar ndërtuesit nuk shohin si zgjidhje uljen e çmimit, pasi sipas tyre problem kryesor mbetet mungesa e kreditimit nga bankat.

Ilir Selenica: “Të gjitha kompanitë e ndërtimit vuajnë mungesën e likuiditetit, të gjitha kompanitë e ndërtimit kanë mungesë kreditimi. Çmimet janë reale dhe blerësi nuk ndikohet nga në 3% apo një 5 % që shoqatat e ndërtimit mundet të ulin.”

Shumë prej ndërtuesve pohojnë se puna e tyre tashmë do të orientohet drejt sektorit publik, ku interesi i shtetit për të investuar duket të jetë më i madh./tvklan.al

Gazetare: Daniela Zisi