Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, përmes një letre dërguar ambasadorëve të BE-së dhe SHBA-ve në vend, ka kërkuar që t’i jepet fund korrupsionit në Maqedoninë e Veriut. Taravari e ka quajtur një murtajë korrupsionin që sipas tij ka kapluar çdo pore të shoqërisë, ndaj ka kërkuar që kjo dukuri të luftohet përmes veprimeve konkrete.

“Duke shfrytëzuar qetësinë e kësaj fundjave dimri, po ju drejtohem përmes kësaj letre të hapur për t’ju kërkuar që bashkë të ngrisim një front perëndimor për evropianizimin e vendit, jo me parulla boshe të politikanëve nga të cilat janë stërlodhur dhe dëshpëruar qytetarët e vendit, që po na ikin në masë drejt Evropës, por me veprime konkrete…”, shkruan Arben Taravari.

Sipas Taravarit, lufta kundër krimit dhe korrupsionit të nivelit të lartë, duhet të fokusohet në tre akse kryesore.

Vetingu në drejtësi, në politikë dhe në administratë; Konfiskimi i pasurisë së përfituar në mënyrë të paligjshme; Dyfishimi i investimeve në drejtësi dhe në institucionet antikorrupsion për të siguruar pavarësinë dhe efektshmërinë e tyre”, shkruan Taravari.

Kjo letër e Taravarit vjen në një moment kur partia që drejton ai është në negociata për përfishrje në ekzekutiv, ndërsa shpeshhere kreu i ASH-së ka përsëritur se lufta ndaj korrupsionit është prirotiet nëse përfshihen në qeveri.

Klan Macedonia