Kroacia, rival i Shqipërisë do të jetë kombëtarja e parë në grupin tonë që do të nis përgatitjet në kuadër të kampionatit Europian të kësaj vere. Trajneri ballkanas, Zlatko Daliç ka zbuluar edhe listën e futbollistëve që do të marr me vete në këtë turne që zhvillohet nga 14 Qershori deri më 14 Korrik në Gjermani.

Shumë pak risi në listën paraprake prej 26 futbollistësh, por me gjasë të jetë edhe finale duke përjashtuar ndonjë problem të mundshëm gjatë kësaj periudhe. Nga 26 Maji, Daliç do të ketë në dispozicion emra të rëndësishëm, ku përfshihen emra si Modriç, Kovaçiç apo edhe Gvardiol.

“Ne jemi të vetëdijshëm për ambiciet dhe pritshmëritë e mëdha, por jemi gjithashtu të vetëdijshëm se sa ekipe të mira ka në Kampionatin Evropian. Kemi grupin më të vështirë të mundshëm. Do të jetë shumë, shumë e vështirë. Arritëm rezultatin që duhej, e cila është një vend në Kampionatin Evropian.”

Kroatët do të debutojnë në Euro2024 kundër Spanjës në Berlin, për tu ndeshur më pas me kombëtaren tonë më 19 Qershor. Ndaj kuqezinjve, ballkanasit do të zbresin në fushën e Hamburgut. Takimi i fundit për Kroacinë është ajo ndaj Italisë më 24 Qershor. Euro2024 do të vij pa pagesë dhe ekskluzivisht në TV kombëtar Klan.

Klan News