Lajme Arkiva 2003

Kryeministri i Bullgarisë Simeoni i dytë,  para largimit nga Tirana ka zhvilluar një mëngjes pune me anëtarët e familjes mbretërore shqiptare. I shoqëruar nga bashkëshortja e tij kryeministri bullgar ka përsëritur para trashëgimtarit për fronin mbretëror princit Leka i Parë mesazhin e tij të ngushëllimit për humbjen e pazëvendësueshme të Nënë Mbretëreshë Geraldinës.

Nga ana e tij trashëgimtari Leka i parë i ka shprehur dëshirën për të rritur bashkëpunimin mes dy vendeve dhe mori një ftesë për  një vizitë në Bullgari. Më vonë dy çiftet  kryeministrore Nano dhe Simeoni i dytë, kanë zbritur në qytetin bregdetar të Sarandës.

Më pas ata i janë drejtuar parkut kombëtar të Butrintit, një nga perlat e turizmit shqiptar por edhe atij botëror. Të dy kryeministrat dhe zonjat e tyre kanë parë nga afër rrënojat e qytetit antik të Butrintit që janë vlerësuar nga Simeoni i dytë si një pasuri e radhë për të gjithë rajonin Ballkanik.

Ndërkohë në Tiranë Ministri i Transportit Spartak Poçi, ka pritur në një takim homologun e tij bullgarë Petrov. Gjatë takimit ministri Poçi ka propozuar krijimin e një forumi ballkanik, me pjesëmarrjen e vendeve ku kalon korridori i 8.

Duke e cilësuar këtë korridor si shumë të rëndësishëm për vendet e rajonit, ministri shqiptar i transporteve dha se duhet të kemi projekte të përbashkëta për përfundimin e këtij projekti. Kjo ide është mirëpritur nga ministri bullgar Petrov i cili tha se bashkëpunimi duhet të shtrihet në të gjitha fushat./tvklan.al