Lajme Arkiva 2004

Të mbijetuarit nga shpërthimi i gazit në minierën e Selenicës, janë dërguar fillimisht për trajtim në spitalin e Vlorës. Mjekë shqiptarë, por ndihma e shpejtë e trupave  të ushtrisë italiane që ndodhet në vend, kanë filluar menjëherë trajtimin e të djegurve. Një nga punëtorët tashmë ka dalë nga gjendja e rëndë e shokut dhe tregon momentet e tmerrshme të shpërthimit.

Punëtor: “Nga lartë erdhi flakë me presion të madh, na rrëzoi, na shtyti, na dogji, na dogji rrobat e trupit, morëm flakë. Këmbadoras u munduam, shpëtuam”.

Sipas drejtoreshës së spitalit të Vlorës, 7 pacientë i janë nënshtruar ndërkohë një trajtimi intensiv.

Drejtoresha e spitalit të Vlorës: “Gjendja është plotësisht e kontrolluar, të sëmurët janë të tërë të vendosur në terapi të plotë, në gatishmëri të plotë dhe pritet sistemimi i tyre në një moment të dytë kur ata të jenë të reanimuar dhe të jenë në gjendje të përballojnë rrugën”.

Në spital ka mbërritur edhe kryeministri Fatos Nano, Ministri i Shëndetësisë Solis dhe ambasadori italian Januci, ku është diskutuar mbi dërgimin e të dëmtuarve në Brindisi, për kurim më specifik.

Punëtorë të kësaj miniere më parë kanë protestuar për kushte të rënda të punës, ndërkohë kryeministri ka deklaruar e përveç kujdesit për shëndetin e punëtorëve të aksidentuar, është urdhëruar edhe ngritja e një grupi hetimi për të zbardhur përgjegjësitë.

Fatos Nano: “Shteti po vepron edhe me strukturat e tjera,  bisedova me Prokurorin e Përgjithshëm dhe tani do të takoj edhe lokalin për të kuptuar radhën e veprimeve ligjore, për të disiplinuar edhe investimet private në incidente të rrezikshme për jetën e punonjësve dhe njerëzve shqiptarë. Te gjitha veprimet e tjera që nga identifikimi  i rrethanave dhe pastaj ndërhyrjet e nevojshme administrative apo ekonomike për të garantuar kushte standarde pune në koncesionin francez të Selenicës si dhe për të përballuar gjendjen e krijuar për familjet e viktimave dhe të të djegurve, po identifikohen me shpejtësinë e nevojshme”.

Pas spitalit kryeministri Nano ka vizituar familjet e të rënëve në detyrë, por edhe atyre të plagosur.

Shpërthimi i gazit në këtë minierë ka marrë jetën  e 5 minatorëve, njëkohësisht dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur dhe po gjejnë mjekimin e tyre në spitale të kryeqytetit , por edhe në Brindisi.

Nano është nisur në Selenicë së bashku me Ministrin e Energjetikës dhe ministra të tjerë e deputetë të zonës. Nano ka ngushëlluar në dy familje që kanë humbur të afërmit, por edhe te një i mbijetuar.

 “Kemi ardhur këtu, është shprehur Nano, jo vetëm  për të ngushëlluar të humburit, por edhe për tu përkujdesur për ata që mbijetojnë”.

Fatos Nano: “Fatkeqësitë janë edhe për të qenë njerëzit më afër, jo vetëm për solidaritet dhe ndarje dhembje, por edhe për të kuptuar më mirë gjendjen”.

Në familjet e Selenicës përveç dhimbjes është vlerësuar vizita e kryeministrit dhe hallet janë ndarë bashkërisht.

I ati i  viktimës: “Nuk e mbaj dot. Në këtë orë më vinte nga puna, qysh më iku në mëngjes e qysh më erdhi. Po ça do qaj, do qaj djalin apo do qaj nusen që do iki me gjithë fëmijë. Ku do rij nusja”./tvklan.al