Kryeministri Edi Rama ka shkëmbyer akuza me Rektorin e Universitetit të Tiranës Mynyr Koni, në një debat që lindi pas protestës së studentëve dhe adresimit të përgjegjësive.

Një ditë më parë kreu i qeverisë akuzoi Konin se i kishte ikur përgjegjësisë, ndërsa sot Rektori i Universitetit të Tiranës i ktheu përgjigje me një letër të gjatë.  “

Të mundohesh të ndryshosh rrjedhën e gjërave, të mundohesh të gjesh dhe të bësh “fajtor” pa faj, nuk është gjë tjetër veçse një përpjekje e dështuar që tregon vetëm frikë dhe asgjë tjetër. Zoti Kryeministër, Në asnjë ditë të punës time si Rektor i Universitetit të Tiranës nuk jam “arratisur” nga përgjegjësia, por përkundrazi. Në mënyrë të vazhdueshme, kam paraqitur problematikat (që Ju vetëm tani po i pranoni se ekzistojnë) në të gjitha institucionet e Shtetit Shqiptar, përfshirë edhe Ju. Akuzat që ju bëni, tregojnë shumë qartë se Ju nuk e njihni ligjin e arsimit të lartë 80/2015. Të njëjtën gjë bëni edhe me çështjen e tarifës së provimeve të mbartuara të studentëve, për të cilën, Senati Akademik i UT, ka deklaruar se nuk ka bërë asnjë kërkesë për vendosjen e saj

”, tha Koni.

Ai akuzon Ramën se në çdo rast “

ushtroni presion, intimidoni, ironizoni dhe shantazhoni, jo vetëm në mënyrë të drejtëpërdrejtë por edhe nëpërmjet mediave që janë pranë qeverisë, duke mos i dhënë mundësinë askujt, në rastin konkret mua, të shprehem dhe të them të vërtetën se çfarë realisht po ndodh në Universitetin e Tiranës.

Koni zotohet se do të vazhdojë të udhëhiqet “

nga morali dhe integriteti i lartë personal dhe profesional dhe nuk do t’i gjunjëzohem askujt dhe për asnjë arsye, sikurse kam vepruar deri më sot.

” Në fund, ai kujdeset të kujtojë se nëse për Kryeministrin dhe qeverinë që ai drejton, protesta e studentëve është një shuplakë, për të është një shprehje e lirisë dhe demokracisë, dhe si e tillë është një fitore.

Akuzave të Konit, kreu i ekzekutivit iu përgjigj shkurt dhe kërcënueshëm në rrjetet sociale: “

Zoti Rektor i UT, unë e mëshiroj pafytyrësinë Tuaj të dyfytyrtë dhe reagimin Tuaj tipik për burrat rrëshqanorë! Sidoqoftë,unë shumë shpejt do të jem auditor më auditor, ku shpresoj të keni kurajon të m’i thoni në sy veshëgjatësitë e shkruara në reagimin Tuaj që flet vetë për Ju.

/tvklan.al