Në shkurt 2023, emisioni “Stop” në Tv Klan shkoi në Korçë me të moshuarin Nazmi Hasa, i cili i kishte dhënë avokates së tij, Eda Mërkuri, 700 mijë lekë borxh që në dhjetor 2022, por kjo e fundit nuk ia kishte kthyer. Nazmiu u takua me të për t’i kërkuar borxhin, por avokatja i tha se paratë do t’ia këmbente me shërbime për një çështje të të birit. Pas debateve, avokatja pretendoi se nuk ka afat për borxhin ndaj zotëria mund t’i drejtohej gjykatës.

Pas Nazmiut, gazetarja e “Stop” shkoi të takojë avokaten Eda Mërkuri, e cila e nxehur tha se sapo t’i binin lekë në dorë, do ta shlyente të moshuarin të cilit i mori 700 mijë lekë borxh. Pas një viti e gjysmë, Nazmi Hasa thotë se jo vetëm që avokatja nuk ia ka kthyer lekët, por i ka bërë dhe padi për prishje të biznesit.

Nazmi Hasa: Po si je o mrekullia e Zotit, o njeri fantastik?

Gazetarja: Eda Mërkurit, i ra ndonjë lek në dorë që të kthente borxhin prej 700  mijë lekësh ty apo jo?

Nazmi Hasa: Ajo jo vetëm, që s’më ka kthyer gjë fare, po ka hapur një gjyq me mua, se ti, që më nxore në “Stop”, më ke penguar biznesin.

Gazetarja: Ashtu ë?

Nazmi Hasa: Lëre, është e tmerrshme. Ti e pe vetë, cila është?

Gazetarja: E pashë shumë mirë, e pa një Shqipëri e tërë.

Nazmi Hasa: Në atë zyrën e avokatisë e çova, thoshte jam jashtë shtetit nuk vinte, bëra një kërkesë këtu në Prokurori, që ta shpejtonte këtë punë, sesi e mbuloi atë, e bllokoi. Tani kam zënë një avokat, ta kërkoj me një avokat për në gjyq.

Ndërkohë Eda Mërkuri i ka bërë bisht Dhomës dhe ka mbyllur çështjen në prokurori.

Avokati Arben Llangozi shpjegon se Kodi Civil thotë që brenda 5 ditëve nga kërkesa, duhet t’i kthehet borxhi zotërisë. Sipas tij, prokuroria duhet ta hetojë zonjën Mërkuri, pasi ajo ka konsumuar veprën penale të vjedhjes me anë të mashtrimit./tvklan.al